Nga Lutfi Dervishi
Operacioni: PPP
Tashmë nuk ka dyshim se Shqipëria ndodhet para një lufte hibride shumë të sofistikuar që synon shkretimin e turizmit. Agjensitë inteligjente kanë zbërthyer një plan që vepron prej vitesh, por që u bë publik vetëm gjatë 48 orëve të fundit.
Agjentura ruse, në bashkëpunim me atë serbe dhe të një vendi tjetër që për momentin nuk është bërë publik, gjatë viteve të fundit, ka vënë në zbatim operacionin e koduar PPP (plazhet pa pushues). Raportohet se këtij plani i është bashkëngjitur së fundmi edhe Greqia, që siç dihet, mban ende në fuqi ligjin e luftës!
- Agjentë të maskuar si turistë
Sipas raporteve të besueshme të SHISH, agjentë të huaj, të infiltruar si turistë, gjatë dy tre viteve të fundit, kanë folur me pronarë hotelesh, veçanërisht në Jug të Shqipërisë, Vlorë, Sarande, Ksamil, duke u qarë hallin për çmimet. Shumë lirë! Gjynah! Këtu është më mirë se në Maldive. Parajsa mbi tokë! Mos u bëni budallenj rrisni çmimet! Dhe… ne, që fjalën e të huajt e dëgjojmë më shumë se fjalën e prindit, rritem çmimet pa e ditur se po bëheshim bashkëpunëtorë të armiqve traditionalë të Kombit shqiptar, që historikisht na kanë hapur varrin.. me duart tona.
2. Biznesi i Shezlongëve
Të pakënaqur me sabotimin e hoteleve, agjentura ruse në bashkëpunim me atë serbe kanë penetruar deri në qeveri dhe veçanërisht në ministrinë e Turizmit për të nxitur me ligj një biznes krejt të veçantë të padëgjuar në pellgun e Mesdheut dhe në historinë botërore të turizmit. Ata kanë nxitur, mbështetur dhe sponsorizuar biznesin e shezlogjeve- janë mbi 1400 biznese të tilla nga Velipoja në Ksamil. Operacioni “Pikaso” (Le të ketë shezlongë,” por të jenë më të shtrenjtë se një vepër e Picassos!) ka vite që është në zbatim. Hapesirat e plazheve krahas hoteleve u janë dhënë individëve që nuk kanë asnjë aftësi tjetër veç aftësise për të thithur si magnet idete e armiqve tanë.
Pa e kuptuar zyrtarët tanë duke menduar se po bëjnë mrekulli kanë bërë marrëzi! Tani, çdo pushues duhet të paguajë nga 10 deri në 100 euro për të qëndruar në hije! Nga informacionet e një sherbimi partner perëndimor mësohet se agjentit që ka dhënë këtë ide i është lidhur pension i përjetshëm.
3. Supermarketet
Agjenturat e huaja me një plan të mirëmenduar kanë shtrirë tentakulat e tyre edhe te Autoriteti i Konkurrencës dhe Agjencia Kombëtare e Ushqimit duke bërë të mundur që djathi në supermarket tona të jetë më i shtrenjtë se në Paris, sallami më i shtrenjtë se në Romë dhe buka më e shtrenjtë se në Gjermani. Kështu, tregtarët shqiptare janë bërë bashkëpunëtorë të pavetëdijshëm në këtë komplot të madh, duke ofruar mallra me çmime aq të larta sa turistët të mendojnë 12 herë para se të futen sërish në supermarketet tona.
4. Uji!
Agjentët e huaj me metoda të sofistikuara, vijon raporti i SHISH, kanë bindur autoritetet të mos bëjnë asnjë perparim në trajtimin e ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Impiantet e trajtimit të ujërave të zeza te ndërtuara dhe vënë në funksionin para 10 vitesh nuk punojnë ndërsa ka një plan të detajuar që premtimi i lashtë për ujë të pijshem 24 orë të mbetet gjithë jetën premtim. Operacioni “rubinetat e thata” është në veprim prej 33 vitesh dhe parashikohet të mbyllet në vitin 2124!
5. Rrugë të florinjta
Megjithëse ka zëra se agjenturat e huaja në bashkepunim me agjentet lokalë kanë rritur kostot e ndërtimit të rrugëve, në dorë të SHISH ka rënë një email me subjekt: “të mësojmë kosovarët”
Në tekst thuhet se Kosova ka ndërtuar dy prej autostradave më të mira në rajon, por kosovarët nuk janë mësuar të paguajne në rrugë, sepse qeveria në Prishtinë nuk pranon të vendosë tarifa. Është detyrë e Shqipërisë, që përmes tarifave në rrugë në monedhen që ata përdorin (euro) të mësojë shqiptarët e Kosovës se si paguhet ndërkohë që vozit në rrugë. Objektivi është që udhëtimi me makinë të bëhet me i shtrenjtë se udhëtimi me avion.
6. Goditja e madhe
Së fundi, në një goditje spektakolare, agjentët e huaj në bashkëpunim me krimin e organizuar shqiptar dhe atë ndërkombëtar kanë zhvlerësuar euron. Euro e dobësuar është garanci shtesë që të ketë sa më pak të huaj dhe shqiptarë të Kosovës. Bashkepunimi për këtë pikë shtrihet sa nga drejtoria e pastrimit të parave aq edhe te sistemi i drejtësisë dhe ai bankar.
7. Greqia
Raporti vëren se veçanërisht pas çështjes Beleri, Greqia, që vjet kapi 36 milionë turistë, është hedhur në sulm për të dëmtuar sezonin turistik në Shqipëri. Është dora greke (pavarësisht se nuk ka prova) që Shqipëria po telendiset këto ditë nga UNESCO per Butrintin, Beratin, Gjirokastrën.
Nëse shikoni ndonjë të huaj që pi koktejl në Jug, buzëqesh me pamje të lumtur dhe thotë sa lirë është këtu me siguri është agent rus, serb ose grek. Nëse këto fjalë i thotë në një plazh që është bosh, me siguri është poliagjent që po shijon rezultatet e operacionit PPP (plazhet pa pushues).