Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder (S&D, Austri), ka reaguar lidhur me çështjen “Balluku”, e cila ka dominuar zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend.

I pyetur nga gazetarët në Tiranë nëse Parlamenti Evropian do të raportojë mbi shtyrjen e procedurave që lidhen me mandatin e Belinda Ballukut, Schieder theksoi se PE nuk komenton çështje juridike apo ligjore, duke nënvizuar se institucionet përkatëse duhet të kryejnë detyrën e tyre.

“Kur vjen në Shqipëri, lexon shtypin dhe dëgjon aktorë të ndryshëm. Duhet të them se Parlamenti Evropian nuk komenton çështje juridike apo ligjore. Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre. SPAK duhet të veprojë mbi gjetjet e veta dhe të ndërmarrë çdo hap që e konsideron të nevojshëm. Ne kemi qenë të qartë se të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK,” u shpreh ai.

Schieder shtoi se për Kuvendin e Shqipërisë janë të nevojshme diskutime dhe vendime të bazuara në Kushtetutë, duke e krahasuar situatën me praktika të ngjashme në Parlamentin austriak.

“Në disa raste vendimet merren shpejt, në të tjera kërkohet shqyrtim më i kujdesshëm i dosjes. Kam mësuar se ka ende një afat kohor që nuk ka përfunduar dhe për këtë arsye nuk është momenti për komente. Aktorët parlamentarë kanë garantuar se janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre,” përfundoi raportuesi i PE për Shqipërinë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *