Nga Elvis Hoxha
Medie dhe portale të ndryshëm nuk e kanë aspak problem shpifjen. Për ta shpifja paguan, e vërteta jo. Së fundmi hodhën në qarkullim një informacion sipas së cilit Dejona Mihali zotëron një vilë në Greqi. Para do kohësh e nxorën të martuar me një grek. Natyrisht shpifje.
Vlen këtu të dallojmë tri pika:
1. Në një nga portalet thuhej se informacioni mbi vilën e saj në Greqi është dhënë nga Inteligjenca kosovare. Me zellin për të akuzuar Dejona Mihalin, ata nuk e kanë problem të fusin në lojën e mashtrimit edhe vetë institucioin e AKI-së. Sepse, siç e kanë zakon, fill më pas ata e fshijnë lajmin dhe lajnë duart prej të keqes që kanë hedhur në opinion.
2. Kur bëhet fjalë për të akuzuar njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje, zellin për me shpif e kanë të lartë. Por e dinë që duhet të jenë të kujdesshëm. Kështu që në shpifjen për Dejona Mihalin nuk vendosën ndonjë vilë, por një shtëpi të thjeshtë. Ata e dinë edhe vetë që duhet të mashtrojnë, por me masë. E shpjegoi bukur një herë një specialist i medieve: “Mediet e regjimit mashtrojnë kundër Albin Kurtit dhe stafit të tij. Por ata e dinë se duhet të jenë të kujdesshëm. Mbështetësit e opozitës do të shpërndajnë me dëshirë çdo shpifje kundër Albin Kurtit dhe anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, por me masë. Sepse nëse portali shpifës merr pagën e mercenarit, mbështetësi i tyre i thjeshtë nuk merr pagesë për ta shpërndarë lajmin, ndaj dhe nuk është i gatshëm për me mbështet mashtrime krejt të pabesueshme”. Kështu që për Dejona Mihalin mjafton të vihej fotoja e ndonjë shtëpie që gjendet kudo.
3. Nxjerrim nga forma e tyre e shpifjes edhe një përfundim tjetër. Portalet e regjimit të vjetër të Kosovës e dinë mirë se për me qenë i ndershëm nuk u dashka të mos disponosh asnjë pasuri kur je në pushtet. Ndërkohë që shumë të ashtuquajtur gazetarë e kanë deklaruar me zë e me figurë se zotërojnë pasuri marramendëse. Për eksponentët e regjimit të vjetër po ashtu kanë qarkulluar si informacion zotërime pasurish milionshe. Përfundimisht, këta e dinë ç’do të thotë të jesh i ndershëm. Por nuk e kanë për mision ndershmërinë as në funksionin e gazetarit e as në funksionin e pushtetarit. Sipas tyre mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë të drejtë të kenë as shtëpi, ndërsa ata mund të zotërojnë vetë qindra hektarë dhe shumë vila. Vihet re se mediet e regjimit të vjetër kanë shumë respekt për Lëvizjen Vetëvendosje. Ata e dinë se njerëzit e Lëvizjes kanë mundësi të jenë të ndershëm, gjë që vetë njerëzit e regjimit dhe të medieve të tij nuk mund ta bëjnë më. Ata nuk mund të jenë më të ndershëm. E kanë humbur këtë virtyt.