Pas ngjarjes së ndodhur në Gjykatën e Apelit të Durrësit, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore, rrjetet sociale janë përfshirë nga një valë e gjerë reagimesh.
Në shumë platforma online janë shënuar komente që shprehin mbështetje ose justifikim për autorët e dyshuar, Elvis dhe Gjon Shkambi. Një faqe “GoFundMe”, e hapur për mbledhjen e fondeve për ta, u mbyll pas pak orësh.
Kjo situatë ka nxitur debat mbi mënyrën se si rrjetet sociale trajtojnë përmbajtje që lidhen me ngjarje kriminale dhe mbi kufirin midis shprehjes së mendimit dhe nxitjes së veprave penale.
Ndërkohë, në kuadër të reformave ligjore, Kodi i ri Penal që pritet të miratohet nga Parlamenti parashikon dënime për personat që mbështesin ose lavdërojnë publikisht vepra kriminale. Drafti përcakton se çdo deklaratë, publikim apo përmbajtje në internet që mund të interpretohet si nxitje ose justifikim i krimit, mund të përbëjë vepër penale dhe të ndiqet nga organet e drejtësisë.
Sipas burimeve nga Ministria e Drejtësisë, këto ndryshime synojnë të adresojnë përhapjen e gjuhës që nxit ose normalizon dhunën në hapësirat publike dhe digjitale, duke e konsideruar këtë si pjesë të përpjekjeve për forcimin e rendit ligjor dhe mbrojtjen e integritetit të institucioneve.
Hetimet për ngjarjen në Gjykatën e Apelit të Durrësit vijojnë, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar masa shtesë për sigurinë në ambientet gjyqësore.