Nga Granit Zela
Më 1 shtator 1952 u botua romani “Plaku dhe deti” i Ernest Heminguejt. Kur Uiljam Folknerit iu kërkua të shkruante një recensë të romanit të “Plaku dhe deti”, ai nuk pranoi. Nga viti 1947, Folkneri dhe Hemingueji u përfshinë në një betejë të fortë për prestigj letrar. Marrëdhëniet e tyre u tensionuan menjëherë pas botimit pa lejen e Folknerit të një komenti për pesë shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë amerikan ku duhej te rendiste veten ndër ta. Folkneri kishte renditur Tomas Vulfin të parin, veten të dytin, Xhon Dos Pasosin të tretin, Ernest Heminguejn, të katërtin dhe Xhon Stajnbekun të pestin, e kishte vendosur veten të parin ndër shkrimtarët e gjallë.
Folkneri e kishte bërë këtë koment në prill 1947 kur u ftua në Universitetin e Misisipit, gjatë një seance me pyetje dhe përgjigje në një orë të shkrimit krijues, dhe askush nuk i kishte thënë se studentët do të mbanin shënime dhe se komentet e tij do të botoheshin në Herald Tribune. Kjo shënoi e fillimin periudhës më të tensionuar në marrëdhëniet e tyre me shkëmbime letrash.
Në këto letra, Folkneri sqaroi se duke thënë që “Ernest Heminguej s’ka guxim, s’ka rrezikuar kurrë të dalë kundër rrymës. Nuk njihet nga ata autorë që përdor një fjalë për të cilën lexuesi detyrohet të marrë fjalorin për ta parë nëse është përdorur si duhet” ai s’e kishte vënë në dyshim guximin e Heminguejit si njeri, por vetëm si artist. Ai i rrëfeu “Vëllait H” se komentet “ishin nga ato gjërat e parëndësishme që thuhen pa u menduar shumë kur je duke folur, një ide e mjegullt pa asnjë vlerë, që ti e teston duke e thënë”.
Në përgjigjet e veta, Heminguej kërkoi falje për reagimin e tij: “I shkreti Folkner. Vërtet mendon se emocionet e mëdha jepen me fjalë të mëdha? Mendon se s’i di fjalët që s’vlejnë një grosh? I njoh mirë. Por ka fjalë më të vjetra, më të thjeshta dhe më të mira, dhe janë ato që unë përdor” dhe i kishte treguar se ai do të ishte i hapur për më shumë kritika konstruktive të Folknerit dhe do të donte dinte se çfarë mendonte Folkneri për të, “si [një] vëlla”. Ai i kërkoi që ata “të vazhdojnë të shkruajnë”.
Në 1949 Folkneri fitoi çmimin Nobel për Letërsi “për kontributin e tij të fuqishëm dhe unik artistik në romanin modern amerikan”. Megjithatë, kur disa muaj më vonë ai mori të njëjtën kërkesë nga një revistë letrare e universitetit të Uashingtonit, për të shkruar një recensë për romanin “Plaku dhe deti” Folkneri u tërhoq, duke e lavdëruar me kujdes romanin në një recensë vetëm një paragraf të gjatë:
“Më i miri i tij. Koha mund të tregojë se është proza më e mire, unike, ndër të gjithë ne, dua të them ndër bashkëkohësit e tij dhe të mi. Këtë herë, ai zbuloi Zotin, një Krijues. Deri më tani, burrat dhe gratë e tij ishin krijuar vetë, kishin formësuar veten nga balta e tyre; fitoret dhe humbjet ishin në duart e njëri-tjetrit, vetëm për t’i provuar vetes ose tjetrit se sa të ashpër mund të ishin. Por këtë herë, ai shkruajti për mëshirën: për diçka diku që i krijoi të gjithë: për plakun që duhej të kapte peshkun dhe pastaj ta humbte, për peshkun që duhej kapur dhe më pas të ikte, për peshkaqenët që duhej t’ia rrëmbenin plakut peshkun e tij; i krijoi të gjithë, i deshi të gjithë dhe i mëshiroi të gjithë personazhet. Kështu po. Lëvdoni Zotin që gjithçka për çfarë krijoi, dashuroi dhe mëshiroi Hemingueji dhe për atë që e pengoi të mos shtonte dhe as të mos hiqte asgjë”.
Në 1953 “Plaku dhe deti” u vlerësua me Çmimin Pulitzer. Hemingueji ndoqi shembullin e Folknerit dhe mori Çmimin Nobel në vitin 1954, për “mjeshtërinë në artin e rrëfimit, shpërfaqur së fundmi te Plaku dhe Deti, dhe për ndikimin që ka ushtruar në stilin bashkëkohor”.