Në hapësirën kulturore shqiptare, mungesa e një kanoni të konsoliduar për letërsinë dhe artin nuk është vetëm një boshllëk institucional, por një simptomë e thellë e përçarjes sonë kolektive në raport me vlerat. Për dekada të tëra, shteti, akademia dhe media kanë dështuar të krijojnë, të mbrojnë dhe të promovojnë ato figura dhe vepra që do të duhej të ishin shtyllat e identitetit kulturor kombëtar.

Ky dështim nuk është thjesht një mungesë organizative apo një paaftësi teknike, por pasqyrë e një ndasie thelbësore midis asaj që duhet të vlerësojmë dhe asaj që me të vërtetë vlerësojmë.
Në vendet ku kanoni kulturor është i fortë, ai nuk është thjesht një listë e ftohtë emrash, por një kod i gjallë i kujtesës kolektive. Ai shërben si udhërrëfyes për brezat e rinj, si standard moral dhe estetik për krijuesit dhe si një mekanizëm i domosdoshëm për dialogun kritik dhe vetë-reflektimin kulturor. Por në shoqërinë shqiptare, ky mekanizëm ka ngecur në një vakum. Akademitë, të cilat në teori duhet të jenë vendet e dijes dhe reflektimit më të thellë, më tepër na shërbejnë si qendra burokratike, ku ndikimi politik, lidhjet personale dhe interesat klanore zënë vendin e meritës dhe kritikes objektive. Shoqëria nuk ka përfituar asnjëherë një standard të besueshëm që do të shpërndante kampionët e artit dhe letërsisë në mënyrë transparente dhe të drejtë.

Shteti, nga ana tjetër, e ka përdorur shpesh kulturën si një mjet të propagandës, duke shpërndarë çmime dhe tituj që në shumicën e rasteve nuk pasqyrojnë vlerën reale, por përputhen me interesat politike të momentit. Ky “kanon i partisë” nuk e fuqizon artin, përkundrazi e shkatërron atë duke deformuar perceptimin e publikut për atë që është e rëndësishme dhe për atë që duhet të mbahet mend. Kjo ka prodhuar një kulturë ku kampionët shpesh janë të “diskredituar” nga mungesa e përkrahjes reale dhe vlerësimit objektiv.

Media, që në një shoqëri të shëndoshë është ura midis krijuesve dhe publikut, tashmë pothuajse fare e ka humbur rolin e kritikës së pavarur. Në horizont nuk vërehet asnjë përpjekje e sinqertë për të ngritur standarde reale. Në vend të kritikës së ndershme, kemi një kulturë heshtjeje dhe, eventualisht, ndonjë mbështetje selektive, ku miqësitë dhe dreka-darkat ndikojnë më shumë se meritokracia.

Por, çfarë do të duhej të bënim për të thyer këtë rreth vicioz? Para së gjithash, duhet të krijojmë institucione të pavarura dhe transparente, që të funksionojnë jashtë ndikimit politik dhe ekonomik. Akademitë duhet të transformohen në forume të hapura reflektimi, ku kritika dhe debati për vlerat kulturore të jenë të lirë dhe të guximshme. Shteti duhet të marrë përgjegjësinë për të mbështetur këto institucione, duke refuzuar ndërhyrjet që dëshmojnë për instrumentalizimin e kulturës.
Media duhet të përballet me detyrën më të madhe: të ndihmojë në krijimin e një dialogu kritik dhe të sinqertë, duke promovuar kritikë serioze dhe jo thjesht marketing personal apo propaganda. Duhet të kultivojmë në publik një vetëdije kritike që nuk percepton vlerën vetëm në bazë të modës apo influencës, por në thelbin artistik dhe historik.
Për më tepër, është e domosdoshme të përfshijmë në këtë proces edhe komunitetin e lexuesve dhe krijuesve, duke ngritur platforma ku dialogu dhe vlerësimi të jenë të gjithanshëm dhe demokratik.

Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të sinqertë ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile, mund të formohet një kanon i gjallë, që reflekton vërtet shpirtin dhe dimensionin e vlerave tona. Nëse shteti, akademia dhe media nuk e marrin seriozisht këtë detyrë, ne do të vazhdojmë të jetojmë në një kulturë pa kampionë të vërtetë, pa frymëzime të përbashkëta dhe me një vetëdije të fragmentuar historike. /HEJZA/

By Editor