Para pak ditësh kryeministrja e sapozgjedhur e Italisë, Xhorxhia Meloni, e konsideroi si gabim historik vendimin për bombardimin e Serbisë në marsin e vitit 1999-ë. Pikërisht më 24 mars të këtij viti ish-presidenti i Shba-ve, Bill Klinton, shpalli vendimin për nisjen nga ana e Nato-s të një fushate intensive bombardimesh mbi objektivat ushtarake në Serbi si përpjekje finale për t’i dhënë fund spastrimit etnik që Sllobodan Millosheviç po kryente ndaj shqiptarëve të Kosovës, njësoj siç kishte vepruar më parë në Kroaci e veçanërisht në Bosnje.

Mediat më prestigjioze botërore sollën pamje nga spastrimi etnik në Kosovë. Gjykata e Hagës mori si të pandehur disa nga drejtuesit ushtarakë të Serbisë e deri vetë Sllobodan Millosheviçin. Disa prej tyre u dënuan ndërsa Milloshëviç besohet se i dha fund jetës para ballafaqimit me vendimin për krimet e urdhëruara prej tij. I ashtuquajturi “Kasap i Ballkanit” mori me vete motivet që e shtynë drejt vendimeve që çuan në katastrofa njerëzore të papërjetuara në kontinentin evropian që nga lufta e dytë botërore.

Bombardimet e Nato-s ndaj Serbisë dhe gjenocidi i kësaj të fundit në Kosovë, për vite me radhë vazhdojnë të ndajnë ideologjikisht spektre të ndryshme politike në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithmonë të zëshëm kundër bombarsimit të Serbisë mbeten Rusia dhe Kina, pa harruar dhe Greqinë zyrtare. Krejt e kuptueshme për boshtin e ortodoksisë politike Moske-Athinë-Beograd. Kundërshtia ndaj vendimit për ndalimin e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve po ashtu në mënyrë sistematike ka ardhur dhe nga forcat e ekstremit të djathtë në Evropë. Marin Le Pen në Francë, gjithnjë e ka konsideruar të gabuar vendimin për bombardimin e Serbise madje duke vënë në dyshim dhe vetë gjenocidin e pretenduar ndaj shqiptarëve. Le Pen iu afrua si kurrë më parë marrjes së pushtetit në Francë e nëse kjo nuk ndodhi dje, me siguri që do të ndodhë nesër.

E djathtja amerikane gjatë presidencës së Donald Tramp shënoi një ndryshim të beftë kursi ndaj Kosovës në raport me Serbinë. Retorika e relativizimit të historisë u pa të ishte ligjërim dominant duke nënkuptuar hapur nevojën për të harruar të kaluarën në funksion të një marrëveshje përfundimtare mes dy shteteve, marrëveshje e cila më shumë u shërbente kalkulimeve politike të Donald Tramp. Po gjatë presidencës Tramp gjalloi dhe ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si një orvatje drejt paqes së pretenduar finale mes agresorit dhe viktimës që tashmë shiheshin vetëm si dy palë krejt të barabarta negociuese. Kaq transparente ishte kjo qasje e Shba-ve, saqë prodhoi një grusht të mirëfilltë shteti në Kosovë ku qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, refuzuese e një marrëveshje me Serbinë në ato kushte, u rrëzua nga pushteti me një skenar të hapur drejtuar nga Riçard Grenëll, ish i dërguari i Donald Tramp për dialogun Kosovë-Serbi.

Apologjetët e Serbisë po shtohen dita-ditës. E djathta italiane tashmë në pushtet po ripërforcon këtë qëndrim antihistorik dhe antinjerëzor. Serbia sot qeveriset nga trashëgimtarët ideologjikë të Millosheviçit të cilët ashtu si e djathta ekstreme kanë akuzuar perëndimin për padrejtësi të kryer ndaj tyre dhe se për këtë padrejtësi ata i detyrohen shumë Serbisë. Vlen të theksohet se investimi i Serbisë për ofrimin e një tjetër imazhi ofrohet edhe me anë të nismave të ndryshme. Procesi i “Ballkanit të Hapur”, iniciuar në Serbi, ka patur për partner e promotor kryesor vetë shtetin e Shqipërisë, po ashtu pjesë e kësaj nisme. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është referuar shpesh nevojës së ngutshme që shqiptarët e serbët t’i harrojnë rrëmujat e shkaktuara ndaj njëri-tjetrit në kuadrin e një perspektive të re rajonale. Sërish gjenoçidi serb në Kosovë kalon në siten e relativizmit historik prej nga Serbia del vetëm  si njëra nga pjesënarrëset në disa turbullira historike.

Nëse kërkojmë kundërthënie të relativizmit historik, ato i gjejmë në vetëdijen kombëtare si paradigmë e ligjërimit e aksionit politik. Muajin e kaluar shteti i Kroacisë i ndaloi hyrjen në territorin e saj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me argumentin se Serbia nuk ishte distancuar nga e kaluara e saj kriminale në raport me Kroacinë dhe për sa kohë që ky proces nuk ndodh, hyrja në Kroaci për zyrtarët serbë do të mbetej e pamundur. Ballafaqimi mes modelit kroat dhe atij shqiptar në raport me qasjen ndaj kastës trashëgimtare të Millosheviçit në pushtet na shpalos dy botëkuptime që u korespondojnë dy realiteteve të sotshme historike. Modeli shqiptar i ofrimit të një “rendi të ri” ballkanik ku përgjegjësia historike fashitet nga nevoja për të shkëmbyer disa mallra, e ku kujtesa historike shihet si anomali në kreativitetin e të bërit tregëti, në thelb i ofron Serbisë të njëjtin terren amnistie. Nesë e djathta ekstreme i ofron Beogradit hapësirën e të qënit viktimë, “Ballkani i Hapur”, rihegjemonizon Serbinë e dikurshme në ish-Jugosllvavi si lokomotivë e progresit të përgjithshëm shoqëror dhe ekonomik. Modeli kroat nga ana tjetër ofron kujtesën historike si imperativ të pakapërcyeshëm të vendimarrjes politike. Për Zagrebin zyrtar, politika pa historinë është lojë. Barrën e madhe sot po e mban Ukraina nën sulmin ushtarak dhe kërcënimin bërthamor rus. Serbia, e destinuar si marionetë e përjetshme e Kremlinit nuk ka hezituar t’i tregojë dhëmbët Kosovës deri me kërcënime direkte për luftë.

Në çdo skenar përshkallëzimi të konflitit mes Rusisë dhe Ukrainës, kushdo e kupton se rreziku që i kanoset Kosovës është real. E djathta ekstreme me qasjen e saj kundër islamit, projekton shtetet me shumicë myslimane si kërcënim për paqen globale. Kësisoj, antidot ndaj islamit në Ballkan projektohet vetë Serbia e lidhur ngushtë me trashëgiminë e kriminelëve të luftërave në ish-Jugosllavi. Shqipëria zyrtare qartësisht e la zbuluar Kosovën me përfshirjen në “Ballkanin e Hapur” duke i mundësuar Serbisë strategjinë e saj historike; Te luajturin me dy porta. Progresiste në imazh, shoviniste e hegjemoniste në esencë. “Fajësitë” mbi Kosovën po shtohen gjithnjë e më shumë. Ajo “shpiku” një gjenocid të paqenë ndaj saj. Gjallon si një tjetër shtet mysliman në Ballkan, kërcënim për paqen e stabilitetin rajonal e global. Karakterizohet nga një “primitivizëm” nacionalist faktuar në refuzimin e përfshirjes në nisma me qëllim maksimizimin e lumturisë në rajonin e trazuar nga konfliktet e pambarimta. E kësisoj, gradualisht e si pa e kuptuar po shkojmë drejt një Nurembergu për Kosovën. Aty për të parën herë viktimave të klasës politike serbe do u jepet mundësia të dëshmojnë tmerret e sulmeve të Nato-s mbi objektivat e tyre ushtarake dhe traumat e ushtarakëve serbë kur panë t’u digjeshin armët me të cilat ata ishin përgaditur të shfarosnin popullin separatist shqiptar të Kosovës.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *