Nga Ledi Shamku Shkreli

E ngecme shpesh në trafik sot, e pata të mundur të shihja disa nga reklamat që bizneset private shpalojnë në hapësirat publike (pas një vitrine qelqi). M’u shpalua disa herë, pra shpesh, e njëjta reklamë: Fotografia e një menuje “junk food” (patatina, skuqurina, hamburger e cola), me uljen e posaçme të çmimit. Ulja e çmimit kishte motivacion të shkruar sipër “back to school”. Të krijohej menjëherë efekti asociativ se tashmë që shkollarët u kthehen shkollave, ky është ushqimi i tyre, kjo është edhe oferta “tunduese” ushqimore.

U stepa pak. Kam dëgjuar disa herë në emisione shëndeti a diskutime mjekësh se, si popullatë po e kemi problem obezitetin fëminor dhe adoleshencial. E besoj këtë të dhënë me çka shoh. Nuk e kemi veç ne, por besoj se këtë reklamë ku lidhet shkolla me junk food-in, ka gjasa ta kemi veç ne të publikuar.
Për diskrecion nuk i bëra foto reklamës, por edhe s’ka nevojë për foto se kushdo e sheh kudo.

Nuk kam asgjë kundër reklamimit të saj; çdo biznes është i lirë t’i japë zjarr reklamës së tij nëse i dalin hesapet e marketingut. Ajo çka më shqetëson është lidhja thuajse okulte e junk foodit me shkollarin. I cili e ka vetiu prirjen për këtë lloj diete ushqimore, ndaj s’kemi pse ia bëjmë mbarë edhe më. E s’kemi pse iu biem ndesh bisedave familjare (nënat sidomos), që mundohen përditë të luftojnë me këtë prirje moshore, e cila dihet se shkakton obezitet.

Në fund, nuk po ngre zërin (si gjuhëtare), për shprehjen toptan anglisht “back to school”, në vend të “prap n’shkollë” a në e daçi më formale “rikthim në shkollë”. Enkas nuk po e ngre zërin, madje anglishtja po më voliska më shumë.

“Buka me vete” që merrnim gjatë “Prap n’shkollë”, ka qenë buk-gjalp-djath-domate ose buk-gjalp-djath-vezë (sipas stinës). Kjo “bukë me vete”, produkt i një kulture të caktuar jetese, e mban mirë “prap n’shkollë”.

Të tjerat, sipas kulturave edhe emri.

Thjesht nuk ndjehem mirë kur target marketingu bëhet ai grup moshe ende i thjeshtë për t’u kandisur, dhe kjo kandisje lehet të ndodhë publikisht rehat në sytë tanë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *