Nga Elvis Hoxha
Ndonjëherë për të mbrojtur padrejtësinë ndonjë ndërmjetës bën budallën.
Le të marrim një shembull. Le të mendojmë se dikush po bën ndërmjetësin mes të zotit të një shtëpie të grabitur dhe hajnit. Por ja që ndërmjetësi ka zgjedhur të mbajë anën e hajnit. Me qëllim që të mbrojë padrejtësinë, ndërmjetësi preferon të luajë rolin e budallës. Sepse ai e di se nga pozicioni i ndërmjetësit është më mirë të dalë budallë se sa mashtrues. Pasi aty ku është, ai nuk ka zgjedhur vetë të jetë, por e kanë emëruar.
Le të mendojmë situatën kur hajni i deklaron ndërmjetësit se nuk do ta grabisë më fqinjin e vet. Ndërmjetësi kthehet nga zoti i shtëpisë dhe i thotë: “Meqë ky nuk do të të vjedhë më, ti nuk ke pse kërkon ato që të ka vjedhur deri tash”. I zoti i shtëpisë së vjedhur me shumë të drejtë thotë se duhet t’i kthehen sendet e grabitur. Fakti se fqinji nuk do ta grabisë më nuk e pastron nga hajnia. Atëherë ndërmjetësi mashtrues deklaron se hajni ishte korrekt, por i dëmtuari nuk e pranoi marrëveshjen.
E keqja nuk është se ndërmjetësi është mashtrues, as se hajni përvetësoi ato që ka grabitur. Por se përfundimi i këtij negocimi të shkurtër legjitimoi dy fakte: 1. hajni ka vjedhur; 2. ndërmjetësi nuk ka lidhje me drejtësinë.
Dëmi është më i madh kur mendon se pandershmëria e ndërmjetësit projektohet mbi ata që i kanë dhënë atë mision. Budallakia me të cilën ndërmjetësi do të mbulojë pandershëmrinë e vet nuk bie vetëm tek ai, por tek ata që i kanë dhënë të drejtën të ketë një post të tillë. Budalla projekton padrejtësinë në institucione më të larta. Hajni mbeti hajn dhe institucioni i ndërmjetësisë humbi. Të zotit të shtëpisë i mbetet të jetë këtej e tutje vigjilent dhe mos të pranojë symbyllurazi çdo propozim negociatorësh, ashtu si pati bërë për nja dy dekada.