Nga Arbër Zaimi
Më parë, në dialog me Kosovën, përfaqësuesit e Beogradit përveçse si përfaqësues të Serbisë janë paraqitur edhe si kontrollues de facto apo ndikues të disa pjesëve gjeografike e demografike të Kosovës. Pra janë përpjekur të dominojnë sepse tryeza nuk është e drejtpeshuar kur njëra palë pretendon të ulet përveçse te karrigia e vet, edhe në karrigen e palës tjetër.
Gjithmonë e më shumë kjo po bëhet e pamundur për Beogradin, që ka mbetur thuajse pa instrumentë brenda Kosovës. Në veri Kosova duke afirmuar shtetësinë po i largon vegëzat apo pretendimet e Beogradit për kontroll.
Janë ndërprerë financimet e paligjshme, institucionet e paligjshme apo të palicensuara. Janë sekuestruar armët dhe janë arrestuar shkelësit e ligjit.
Natyrisht, Serbia do të ketë gjithnjë të drejtën për marrëdhënie speciale me serbët e Kosovës, por brenda ligjit e kanaleve ligjore.
Ky proces ligjzbatues e ndihmon Kosovën në tryezat ndërkombëtare, përfshi dhe në dialog. Ka rënë pretendimi se Kosova “ende nuk e kontrollon krejt territorin e vet”. Pikërisht tash që Kosova kudo paraqitet si kontrolluese e mirë dhe e plotë e territorit të vet, janë shtuar gjasat që vendet mosnjohëse, përfshi Serbinë, ta njohin atë.