Policia ka dhënë detaje nga ngjarja e djeshme në fshatin Orosh të Pukës, ku dy të rinjtë, Erzen Uka dhe Julian Cumraku, u ngujuan në një banesë dhe refuzuan të dorëzoheshin, duke qëlluar me armë ndaj forcave speciale.
Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, gjatë kontrollit të territorit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë vëzhguan një person që, duke parë policinë, u fut me shpejtësi në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C. Pasi i janë bërë thirrje për të dalë, ai nuk u bind dhe kërcënoi punonjësit e Policisë.
Situata kërkoi ndërhyrjen e forcave policore të specializuara. Në vendngjarje u drejtuan Forcat Speciale Renea, të mbështetura nga forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër. Gjatë negociatave, nga brenda banesës u qëllua me armë ndaj forcave speciale, por pas rreth 12 orësh bisedimesh dhe ndërhyrjes së familjarëve të të rinjve, ata u dorëzuan pa përdorur forcë.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan 4 armë zjarri automatike, një pistoletë, një flamur i ISIS-it, 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe dy gëzhoja.
Në vetëdorëzim, Erzen Uka ka marrë një dëmtim në kofshën e djathtë dhe është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal Shkodër, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të dy të rinjtë u arrestuan në flagrancë:
- E. U., 35 vjeç, i dënuar më parë për “Nxitjen e urrejtjes dhe grindjeve”.
- J. C., 34 vjeç, i dënuar për “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale: “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

