Nga Besmir Lushaj
Si sot para 79-vitesh në Terstenik të Drenicës ra Shaban Polluzha.
CIA amerikane deklasifikoi disa dokumente pas vitit 2011 ku ofrohen raporte të detajuara të viteve 1950-1953 se çfarë qëndrese heroike u banë nacionalistët shqiptarë dy divizioneve serbo-malazeze dhe mijëra çetnikëve të Drazha Mihajloviçit që u rikthyen si pushtues në Kosovë pas largimit të pushtuesit nazist.
Raportet në fjalë flasin qartë për masakra, dhe terror të pashembullt ndaj shqiptarëve.
Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 dhe deri në fillim të marsit të 1945-s, pushtuesit serbo-malazezë u ballafaquan me rezistencë në Drenicë, Llap, Rrafsh të Dukagjinit dhe Shalë të Bajgorës.
Sipas raporteve në fjalë, për afro 4 muaj luftimet mes shqiptarëve dhe sllavëve kishin qenë epike. Termi “epike” përdoret në disa pjesë të raporteve ku referohet se serbo-malazezët kishin humbur mbi 2600 ushtarë në luftime, ndërsa shqiptarët kishin humbur mbi 4000 luftëtarë.
Epërsia në numra dhe armatime ishin përparësi e madhe për pushtuesit.
Në raporte theksohet se shqiptarët komandoheshin në këto luftime nga Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Myftar Bajraktari, Dem Ali Pozhari, Mulla Iljaz Broja, Ahmet Selaci, Ukë Sadiku etj.
Drejtuesit politikë të rezistencës ishin profesorët nacionalistë Ymer Berisha, Luan Gashi dhe Gjon Serreqi.
Profesorët Berisha dhe Serreqi u vranë në përpjekje me pushtuesit ashtu si Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Ahmet Selaci, Ukë Sadiku dhe Mulla iljaz Broja.
Publikimi i këtyre raporteve hodhi poshtë propagandën komuniste e cila fabrikoi për dekada mashtrimin e turpshëm sikur Shaban Polluzha u ishte dorëzuar brigadave partizane.
Pa u tha mirë gjaku i luftimeve të përgjakshme në Kosovë, brigada e 10 malazeze me dirigjim të OZNA-s do të ekzekutonte mijëra shqiptarë në Masakrën e Tivarit në prillin e 1945-s si hakmarrje për humbjet e pësuara në rezistencën e Kosovës.