Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar probleme serioze në Rrugën e Arbrit gjatë mëngjesit të sotëm. Që prej orës 07:30, në zonën pranë Tunelit të Murrizit janë regjistruar disa incidente, ku automjete të shumta kanë humbur kontrollin, kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal.

Sipas raportimeve, rrëshqitja në borë ka sjellë edhe përplasje mes mjeteve, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin. Situata është paraqitur problematike si në drejtim të Tiranës, ashtu edhe në segmentin nga ana e Klosit, ku rruga ka qenë e bllokuar për më shumë se një orë.

Vështirësi të theksuara janë konstatuar edhe në aksin nga Ura e Vashës drejt Peshkopisë, si dhe në zonën e Tunelit të Qafë-Buallit, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara për shkak të borës.

Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po punon për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve të tjera. Ndërkohë, situata vijon të përkeqësohet si pasojë e reshjeve të pandërprera dhe ngricave, që e bëjnë lëvizjen gjithnjë e më të rrezikshme në këtë aks rrugor.

Autoritetet u kanë bërë thirrje firmave të mirëmbajtjes të ndërhyjnë urgjentisht me hedhjen e kripës dhe skorieve, me qëllim garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *