Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë përfshirë të gjithë territorin e Qarkut Kukës, duke rritur ndjeshëm riskun në rrugët nacionale, bashkiake dhe në disa ura. Si pasojë e kushteve atmosferike, subjektet kontraktore dhe drejtoritë e rrugëve rurale janë angazhuar me kapacitet maksimal për të garantuar funksionalitetin e akseve dhe lidhjen me zonat rurale. Aktualisht, të gjitha rrugët nacionale raportohen të qarkullueshme.
Situata më problematike paraqitet në Bashkinë Kukës, ku ura e fshatit Orgjost vijon të jetë e rrezikuar, pas dëmtimit të njërës prej këmbëve mbajtëse. Banorët shprehen të shqetësuar, ndërsa për shkak të përkeqësimit të gjendjes, fëmijët nuk janë lejuar të ndjekin mësimin. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat e Emergjencave Civile në nivel vendor dhe qendror, pasi rreth 1 mijë banorë të dy lagjeve të fshatit rrezikojnë të mbeten të izoluar.
Në Njësinë Administrative Zapod vijojnë të jenë të bllokuara disa segmente rrugore, konkretisht rrugët që lidhin Cërnalevën dhe Oreshkën. Për shkak të motit të keq, sot nuk është zhvilluar procesi mësimor për nxënësit e shkollës në Cërnalevë. Nga Bashkia Tropojë bëhet me dije se nuk ka problematika, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
Në Bashkinë Has, shqetësim mbetet rezervuari Helshan 2, pasi poshtë tij ndodhet një objekt shkollor, duke përbërë risk për sigurinë. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës furnizohet normalisht, me përjashtim të Njësive Administrative Zapod, Shishtavec dhe Topojan në Bashkinë Kukës, ku vijojnë ndërprerjet për shkak të kushteve atmosferike. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe ndjekje të njoftimeve zyrtare, ndërsa strukturat e emergjencave vazhdojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.

