Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata e shkaktuar nga shiu në zonën e Durrësit është problematike.

Në njoftim theksohet se disa familje janë strehuar në Kavalishencën e qytetit, pasi uji u ka hyrë në banesa, ndërsa 40 hektarë tokë bujqësore është nën ujë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Informacion mbi situatën e krijuar nga reshjet në qarkun e Durrësit

Gjatë gjithë natës dhe sot, vazhdon puna nga forcat në terren për largimin e ujit nga zonat e prekura nga reshjet intensive të shiut në një pjesë të bashkisë së Durrësit. Problematikat më të theksuara janë në rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykatës së Apelit dhe pjesërisht në zonën e Plazhit.

• Ka prani të ujit në një numër të konsiderueshëm banesash dhe ambiente publike.

• Është bërë evakuimi i disa familjeve, të cilat janë akomoduar në Kavalishencë.

• Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë llogaritet në rreth 40 ha.

• Ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen, por pa rrezik për daljen nga shtrati.

• Hidrovorët në Hamallaj dhe Porto Romano vijojnë punën me kapacitet të plotë.

• Në terren janë të angazhuara forca nga MZSH, Autoriteti Portual, Bordi i Kullimit dhe ndërmarrjet e punëve publike të bashkisë.

• Në mbështetje të forcave në terren janë angazhuar 2 pompa thithëse me kapacitet të lartë dhe 3 kamionë të kalueshmërisë së lartë nga Forcat e Armatosura.

• Gjatë natës kapacitetet nga FA u përforcuan edhe me 2 pompa të vogla nga batalioni i mbështetjes në Poshnjë, të cilat janë duke punuar për largimin e ujit në IEPV Durrës.

Grupet e punës janë në terren për identifikimin, vlerësimin dhe raportimin e saktë të dëmeve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *