Nga Shaban Murati
Dëshmitarët historikë të masakrave serbe mbi shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë në vitet e pushtimit serb 1912-1913 janë të paktë si gishtat e dorës. Fuqitë europiane, që mbështetën oreksin ekspansionist të Serbisë mbi territoret shqiptare, heshtën qëllimisht për këto masakra të përbindëshme. Një nga të paktët dëshmitarë historikë është gazetari rus Leon Trocki, i cili në ato vite shkeli personalisht në viset shqiptare si korespondent lufte, i pa me sytë e vet masakrat serbe mbi popullsinë civile shqiptare dhe ia bëri të njohur opininit publik ndërkombëtar këto ngjarje të tmerrshme, duke i botuar në një gazetë të Kievit. Më vonë Trocki do të bëhej një nga udhëheqësit kryesorë të revolucionit bolshevik rus të vitit 1917. Por figura e tij shihej si pengesë drejt pushtetit nga Stalini, i cili e sulmoi ashpër, e persekutoi, e dëboi nga atdheu, deri sa e vrau më vonë me agjentët e tij, kur Trocki ishte në mërgim në Meksikë.
Duke qenë armik i Stalinit, edhe Shqipëria staliniste e konsideroi Trociin armik ideologjik dhe i fshiu emrin nga lista historike e dëshmitarit historik të masakrave serbe mbi shqiptarët. Kurrë nuk u përmendën dëshmitë e tij as si reference burimore e dëshmisë së barbarisë serbe në vitet e pushtimit të tokave shqiptare.
Kjo fatkeqësi ndodh kur udhëheqjet politike dhe shkencore të vendit venë interesat ideologjike mbi interesat e kombit. Figurat historike botërore duhen vlerësuar në raport me atë, që kanë bërë për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar dhe jo të zgjidhen me kriteret staliniste të revolucionit komunist botëror.
Ndaj meriton një respekt dhe falenderim historik nga shqiptarët edhe gazetari rus Leon Trocki. Referenca të tilla autentike dhe të besueshme diplomacia dhe shkenca shqiptare duhet t’i shpërndajnë në gjithë Perëndimin, që të mësohet e vërteta historike e pushtimit barbar serb siç ka qenë. Kjo është e domosdoshme, sepse dipomacia dhe historiografia serbe, e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot, dhe e kanë deformuar të vërtetën e pushtimit të përgjakshëm serb të territoreve shqiptare në vitet 1912-1913, madje guxojnë ta përdorin këtë deformim sot si argument për të ashtuquajturën të drejtë historike të tyre tyre mbi territoret shqiptare.
Ndaj mbetet githmonë aktuale e vërteta historike e dëshmuar nga gazetari rus Leon Trocki, dhe për këtë ai meriton respekt kombëtar nga shqiptarët. Respekte për gazetarin rus Leon Trocki!