Nga Arbër Zaimi
Në vitin 1984 të dytë u rrethuan nga forcat policore jugosllave në një lagje periferike të Prishtinës. Për gjithë natën e gjatë të 11 janarit, 11 orë rresht, Rexhepi e Nuhiu luftuan. Dëshmitarët tregojnë se që nga brenda ndërtesës prej nga rezistonin, veç krismave të armëve ushtonin këngët patriotike.
Dy përballë dhjetërave. Nga ana e okupatorëve qëndronin numrat, forcat dhe armët. Nga ana e çlirimtarëve qëndronte e drejta, guximi dhe kënga. Aty për aty u duk se fitoi okupatori, por në afatgjatë fitoi e drejta.
Për nder të tyre, si edhe për nder të trimërive të tjera që ndodhën më vonë në atë periferi, lagjja nisi të quhet “Kodra e Trimave”.
Të dytë janë sot heronj. Ranë dëshmorë, i pari 33 vjeç, me aktivitet të gjatë patriotik e revolucionar, nga të cilat shumë vite në burg, i dyti 23 vjeç, i angazhuar qysh në adoleshencë në lëvizjet popullore për çlirim e në demonstratat e 1981.
Kur fëmijët lexojnë legjenda për Mujin e Halilin që të vetëm i rezistonin dhjetra armiqve e kulshedrave, duhet t’ua shpjegojnë se ka gjasa të mëdha që këto legjenda ta kenë patur një fillim real diku. Heroizmi historik, vullneti i pathyeshëm, zemrat që duan çlirimin me çdo kusht, nuk ekzistojnë veç në përralla. As mizoria e pushtuesit dhe e armikut, nuk është vetëm nëpër mite.
Qenia e heronjve si Rexhep Mala e Nuhi Berisha në historinë tonë janë dëshmia që shqiptarët ekzistojnë politikisht, e jo thjesht biologjikisht.