Pas një ndërprerjeje pesëditore, furnizimi me ujë ka nisur sërish në qytetin e Vlorës. Defekti në tubacion është riparuar rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm.
Në fazën e parë po furnizohet zona e Lungomares, ndërsa pjesët e tjera të qytetit pritet të marrin ujë gjatë orëve në vijim. Furnizimi po kryhet me kapacitet të reduktuar, pasi aktualisht po testohen pjesët e reja të tubacionit të montuara pas riparimit.
Mungesa e ujit shkaktoi pakënaqësi dhe protesta nga ana e qytetarëve. Një grup prej tyre ndërhyri gjatë mbrëmjes gala të organizuar nga bashkia për festat e fundvitit, ndërsa ditën pasuese dhjetëra qytetarë u mblodhën para bashkisë duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme për problemin.
Kryebashkiakja e Vlorës, Dritanë Mersini, deklaroi se ndërprerja ishte pasojë e një fatkeqësie natyrore. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama u shpreh dje se plasja e tubit “i dha fund syrit të keq” që, sipas tij, kishte marrë mësysh qytetin e Vlorës.

