Phosphorus Mining

Qeveritë në mbarë botën po zbulojnë “ekonominë izolacioniste”. Por zbatimi i politikës industriale është një gabim i madh, argumenton Callum Williams

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, dukej sikur bota mund të lidhej duke formuar një bashkim të fortë global. I nxitur nga besimi i fortë në fuqinë e tregjeve, globalizimi mori shumë vrull në vitet 1990.

Qeveritë hoqën kontrollet mbi udhëtimet, investimet dhe tregtinë. Në vitin 2001, Kina u anëtarësua në Organizatën Botërore të Tregtisë, duke zhvilluar tregtinë midis Azisë dhe Perëndimit.

Këto ndryshime sollën shumë përfitime, duke ulur varfërinë dhe pabarazinë dhe u shoqëruan nga rritja e lirive politike në mbarë botën.

Ato sollën gjithashtu shumë probleme dhe disa njerëz menduan se kriza financiare e viteve 2007-09 do t’i detyronte politikanët të reformonin mënyrën se si funksiononin gjërat. Shumë besonin se kriza kishte nxjerrë në pah rreziqet e tregjeve të kapitalit me qarkullim të lirë. Politikanët u zotuan për të frenuar vrullin e tregut të banesave dhe për të zbutur shpenzimet.

Globalizimi u ngadalësua; Britania votoi për Brexit; më pas Amerika dhe Kina nisën një luftë tregtare. Por në thelb, shumë gjëra vazhduan si më parë.

Ndërsa tani, është e vërtetë se po merr formë një alternativë e skajshme. Disa e quajnë atë “qëndresa ndaj globalizimit”. The Economist e quan “ekonomi izolacioniste”. Ideja kryesore e saj është që të zvogëlohen rreziqet për ekonominë e një vendi, si ato të paraqitura nga tepricat e tregjeve, apo ndonjë tronditje e paparashikueshme si një pandemi, ose veprimet e një kundërshtari gjeopolitik. Mbështetësit e kësaj ideje thonë se ajo do të krijojë një botë më të sigurt, më të drejtë dhe më ekologjike.

Goditjet që nxitën “dëshirën” për izolim

Ekonomia izolacioniste është një përgjigje ndaj katër goditjeve të mëdha. Së pari, ajo ekonomike. Nëse kriza financiare e viteve 2007-09 theu besimin në modelin e vjetër, recesioni global i vitit 2020, e vulosi atë ndjesi. Gjatë pandemisë, zinxhirët e furnizimit u tendosën jashtë mase, duke rritur inflacionin dhe koston e importeve.

Një sistem që dikur dukej se mundësonte efikasitet dhe rehati, u kthye në një burim paqëndrueshmërie. Pandemia gjithashtu i nxiti njerëzit të besonin se qeveritë duhet të marrin përsipër më shumë përgjegjësi.

Së dyti, ishin goditjet gjeopolitike. Amerika dhe Kina po luftojnë gjithnjë e më egër, duke përdorur si armë një sërë sanksionesh ekonomike. Rusia ka nisur luftën më të madhe në Europë, që nga viti 1945. U venit ideja se integrimi ekonomik do të sillte edhe integrim politik.

Lufta solli edhe tronditjen e tretë: atë energjitike. Përdorimi i furnizimit me energji si armë nga Vladimir Putin, i ka bindur shumë politikanë se duhet të gjejnë alternativa për vendin e tyre, jo vetëm në energji, por edhe në mallra “strategjike” në përgjithësi.

Është edhe goditja e katërt: inteligjenca artificiale gjeneruese, e cila mund të përbëjë një kërcënim për punëtorët. Kjo ka nxitur ndjesinë se ekonomia moderne po zhvillohet në kurriz të njerëzve të zakonshëm. Sipas standardeve historike, pabarazitë e të ardhurave dhe pasurisë janë mjaft të larta.

Ekonomia izolacioniste ka për synim të mbrojë botën nga goditje të ngjashme në të ardhmen. Ajo dëshiron të ruajë përfitimet e globalizimit, duke vënë theksin tek efikasiteti dhe çmimet e ulëta, por të shmangë anët negative, si pasigurinë dhe padrejtësinë e sistemit të mëparshëm. Kjo gjë kërkon ndërthurjen e sigurisë kombëtare dhe politikës ekonomike.

“Dua të filloj duke ju falënderuar të gjithëve që keni përfshirë një këshilltar të sigurisë kombëtare në bisedën për ekonominë”. Ky fjalim i Jake Sullivan në Uashington, në prill, tregoi sa shumë ka ndryshuar gjendja që nga hiper-globalizimi i viteve 1990. Zoti Sullivan vuri në dukje se kontrolli i ekonomisë ishte zhvendosur në duart e gjeostrategëve. Udhëheqës të tjerë kanë bërë deklarata të ngjashme.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, mburret se Bashkimi Europian është “ekonomia e parë e madhe që ka vendosur një strategji për sigurinë ekonomike”. Emmanuel Macron ka folur për “pavarësinë strategjike” të Francës; kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka përkrahur idenë e “mbështetjes te vetja” në fushën ekonomike.

Për arritjen e këtyre qëllimeve, nevojitet paketa e vjetër e mjeteve historike. Disa shtete, duke ndjekur politikat proteksioniste të viteve 1930 dhe presidentin Donald Trump në vitin 2018, po rrisin tarifat. Të tjerë po shpenzojnë më tepër për kërkim dhe zhvillim, duke shpresuar të rikrijojnë laboratorët e kërkimit të viteve 1950, të financuar nga qeveria, që ndihmuan në fitimin e Luftës së Ftohtë.

Vëmendja e vërtetë

Por vëmendja e vërtetë është gjetiu. Duke u mbështetur në përvojën europiane të viteve 1950 dhe 1960, shumë qeveri shpresojnë të krijojnë kampionë kombëtarë në industritë “strategjike”; jo të qymyrit dhe çelikut si më parë, por në fushën e çipave kompjuterike, automjeteve elektrike dhe Inteligjencës Artificiale.

Ato po japin subvencione të mëdha dhe po nxisin prodhimin brenda vendit. Zoti Sullivan thotë: “Përfitimet e tregtisë… nuk arritën të preknin shumë punonjës”, prandaj sipas tij, gjëja më e mirë do të ishte që tregtia të kufizohej.

Ashtu si në kohën e Luftës së Ftohtë, qeveritë perëndimore po përdorin mjete ekonomike për të dobësuar kundërshtarët gjeopolitikë, duke përfshirë ndalimin e eksporteve dhe investimet ndërkombëtare, veçanërisht kur ato përfshijnë teknologji “me përdorim të dyfishtë”, për zbatim civil dhe ushtarak.

Qeveritë gjithashtu kanë premtuar mbështetje të madhe për teknologjitë e pastra, në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Disa legjislacione kanë rrëmbyer titujt kryesorë të gazetave. Nën presidentin Joe Biden, Amerika ka zbatuar Aktin e Çipave, për të ndihmuar industrinë vendase të gjysmëpërçuesve, si dhe Aktin e Uljes së Inflacionit (IRA), i cili pavarësisht emrit, ka të bëjë më tepër me subvencionimin e energjisë së gjelbër, sesa me inflacionin.

Të dy ligjet synojnë të nxisin punësimin dhe ekspertizën vendase dhe të dy kushtojnë shumë. Rreth 40% e të gjitha shpenzimeve të vendeve të pasura për të mbështetur energjinë e pastër, vijnë nga Amerika. Por edhe shtetet e tjera po shpenzojnë shumë.

Gara teknologjike dhe ekologjike

BE-ja i është përgjigjur ligjit amerikan IRA, duke krijuar planin e saj industrial të gjelbër. Ajo ka tashmë versionin e saj të Aktit të Çipave. Së fundmi, 14 shtete anëtare të BE-së krijuan një skemë për të mbështetur mikroelektronikën dhe teknologjitë e komunikimit. Franca do të hapë një fond për prodhimin e mineraleve me rëndësi kritike. BE-ja dëshiron që 40% e teknologjive kyçe të nevojshme për tranzicionin e saj të gjelbër dhe 20% e gjysmëpërçuesve të botës, të krijohen brenda bllokut.

India ka krijuar një skemë të madhe “stimujsh të lidhur me prodhimin” për shumë sektorë, duke përfshirë prodhimin e moduleve fotovoltaike diellore dhe baterive të përparuara. Sipas Aktit Korean të Çipave, Koreja e Jugut ofron lehtësime tatimore për firmat e gjysmëpërcjellësve.

Duke u frymëzuar nga skema “Made in China” e nisur në vitin 2015, tani ka skema “Made in America”, “Made in Europe”, “Make in India”, “Made in Canada” dhe “Made in Australia”.

Studiuesit po përpiqen të përcaktojnë këto prirje. Një punim i ri nga Réka Juhász në Universitetin e Kolumbisë, Nathan Lane dhe Emily Oehlsen në Universitetin e Oksfordit dhe Verónica C. Pérez në Universitetin e Bostonit, gjurmon ndërhyrjet e politikave industriale me kalimin e kohës. U zbulua se ka pasur një rritje në vitet 2021 dhe 2022.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, kur vendet e varfra përdornin politikën industriale si një mjet zhvillimi, tani janë shtetet e pasura ato që po përqendrohen në politikat industriale. Sipas analizës sonë të të dhënave nga Projekti Manifest, interesi për politikën industriale është në rritje.

Paratë po pakësohen, ndërsa qeveritë përpiqen t’i bindin kompanitë që të lokalizojnë ose të zgjerojnë veprimtarinë në vendin e tyre. Në tremujorin e parë të vitit 2023, The Economist vlerëson se firmat në vendet e pasura, morën rreth 40% më shumë para në subvencione sesa merrnin normalisht në vitet para pandemisë.

Në tremujorin e dytë, Amerika shpenzoi 25 miliardë dollarë për subvencione. Sipas Bankës UBS, qeveritë në shtatë ekonomitë më të mëdha kanë caktuar deri në 400 miliardë dollarë për industrinë e gjysmëpërçuesve gjatë dekadës së ardhshme.

Që nga viti 2020, qeveritë kanë shpërndarë 1.3 trilionë dollarë për të mbështetur investimet në energji të pastër. Shpenzimet e Amerikës për politikën industriale në raport me PBB-në ka të ngjarë të mbeten më të ulëta se ato të Kinës, por tashmë po rivalizojnë ato të Francës.

Partia Laburiste e Britanisë, nëse fiton pushtetin, dëshiron të shpenzojë me miliarda paund në fondet e gjelbra, të cilat, si pjesë e PBB-së, do të ishin dhjetë herë më të larta se ato të Amerikës.

“Projekti i viteve 2020 dhe 2030 është i ndryshëm nga projekti i viteve 1990”, tha zoti Sullivan në prill. Me kalimin e kohës, politika e re industriale ka të ngjarë të zgjerohet.

Nëse të gjithë shtetet kryesore kanë nga një Akt Çipash, atëherë pse jo një Akt mbi Energjinë Diellore ose një Akt mbi Tokën? Politikëbërësit po e përqendrojnë vëmendjen tek Inteligjenca Artificiale dhe informatika kuantike.

Edhe korporatat po u përgjigjen këtyre erërave politike në ndryshim. Shefat po përmendin më shpesh “rikthimin” e prodhimit në vend. Kjo nënkupton se do të mbahen rezerva më të mëdha lëndësh të para dhe mallrash të gatshme në vend, të cilat mund të përdoren nëse zinxhirët e furnizimit dështojnë. Kompani të tjera po largohen nga Kina.

Tendenca

Investitorët mendojnë se kjo prirje vetëm sa do të rritet. Që nga fillimi i vitit 2022, çmimi mesatar i aksioneve të firmave amerikane “që përfitojnë nga shpenzimet shtesë të infrastrukturës” u rrit me 13%, krahasuar me një rënie prej 9% për tregun e përgjithshëm amerikan të aksioneve, sipas të dhënave nga Banka Goldman Sachs. Investitorët e Silicon Valley janë përkushtuar në këtë drejtim.

Për shembull, Andreessen Horowitz, një fond i madh i kapitalit sipërmarrës, ka krijuar nismën “dinamizmi amerikan”, duke premtuar të mbështesë “themeluesit dhe kompanitë që mbështesin interesin kombëtar”.

Kjo lloj mënyre operimi në ekonomi ka shumë gjëra që tingëllojnë të arsyeshme. Kush mund ta kundërshtojë idenë që zinxhirët e furnizimit të bëhen më elastikë, rajonet e lëna pas dore të ndihmohen, strukturat energjetike të rindërtohen dhe Kina të mos lejohet të ketë kontroll mbi tregtinë?

“Ka justifikime të forta teorike dhe ekonomike për politikën industriale”, argumentojnë zonja Juhász, zoti Lane dhe Dani Rodrik nga Universiteti i Harvardit. Këto politika ekonomike do të krijojnë shumë fitues, duke filluar nga shefat e firmave që marrin subvencione, investitorët në ato firma, e deri te zonat lokale që përfitojnë nga një fabrikë e re që ndërtohet.

Sidoqoftë, ekonomia izolacioniste do të krijojë me miliarda humbës. Përtej arsyeve sipërfaqësore ka një mungesë të thellë koherence. Kjo mbështetet në një pikëpamje tepër pesimiste të globalizimit neoliberal, i cili në fakt ka sjellë përfitime mjaft të mëdha për pjesën më të madhe të botës.

Ndërsa përfitimet e qasjes së re ekonomike janë të pasigurta. Përpjekjet për t’u çliruar ekonomikisht nga Kina ka të ngjarë të jenë të pjesshme, jo të plota. Përfitimet e subvencioneve të gjelbra në luftën kundër ndryshimeve klimatike janë gjithashtu më pak të qarta sesa pretendojnë mbështetësit e tyre.

Nga ana tjetër, kostot e kësaj qasjeje të re ekonomike janë mjaft të dukshme. FMN-ja parashikon një botë hipotetike që do të ishte e ndarë në blloqe të udhëhequra nga Amerika dhe Kina (me disa shtete që mbeten të palidhura).

Në një periudhë afatshkurtër, prodhimi global do të jetë 1% më i ulët, dhe në një periudhë afatgjatë, do të jetë 2% më i ulët. Sipas vlerësimeve të tjera, ndikimi negativ në PBB-në globale do të jetë mbi 5%.

Do të ishte sikur e gjithë bota të votonte për një Brexit. Gjithashtu, qeveritë do të shpenzojnë shumë para, duke pasur parasysh kërkesat e mëdha të kujdesit shëndetësor dhe pensionet, ndërkohë që deficitet janë tashmë të larta.

Dëme të fshehura

Duke u mbështetur në analizat nga një sërë shtetesh kryesisht të pasura, dalim në përfundimin se ekonomitë vendase do ta kenë të vështirë t’i bëjnë zinxhirët e furnizimit më elastikë dhe nuk ka gjasa që kjo qasje e re të ndihmojë ekonominë. Gjithashtu, politikat e reja nuk do të arrijnë të ulin pabarazinë dhe nuk do të jenë të mjaftueshme për të luftuar ndryshimet klimatike.

Sidoqoftë, edhe duke marrë parasysh këto, përkrahësit e ekonomisë së tregut përballen me një luftë të vështirë. Pavarësisht se përfitimet e modelit të ri ekonomik janë të përqendruara vende-vende dhe të pjesshme, ato janë të lehta për t’u parë dhe të leverdishme politikisht.

Qeveritë tashmë po mburren me sukseset e regjimeve të tyre të subvencionimit, si fabrika e re e baterive të automobilave të kompanisë Tata në Britani (me një kosto fiskale prej rreth 500 milionë £ ose 612 milionë dollarë), ose fabrika e re e prodhimit të çipave Rapidus në Hokkaido (me vlerë disa miliarda dollarë mbështetje nga qeveria japoneze).

Dëmi i këtyre politikave ekonomike, në formën e të ardhurave më të pakta dhe efikasitetit më të ulët, do të jetë i shpërndarë, më i vështirë për t’u spikatur dhe i lehtë për t’u shpërfillur.

Por, jo përgjithmonë. Sepse, duke premtuar gjëra që nuk mund t’i realizojnë, politikanët po grumbullojnë telashe. Pas dhjetë vjetësh, Perëndimi ndoshta do të jetë po aq i varur nga Kina sa është sot, po aq i pabarabartë dhe me një rritje po aq të ngadaltë.

Çfarë do të ndodhë më pas? A do të vazhdojnë të këmbëngulin politikanët në politikën industriale, duke pretenduar se dobësia e saj e vetme ishte se nuk u zbatua me entuziazëm të mjaftueshëm?

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *