Nga Sebastian Zonja

Këtë fillimjavë britanikët i dhanë zgjidhje problemit të tyre politik në Westminister. Rishi Sunak, me origjinë indiane, gjyshërit vijnë nga Punjabi, do të jetë kryeministri i ri britanik. Ai është 42 vjeç dhe ka studiuar në dy ndër universitetet më prestigjoze në botë: Oxford dhe Stanford. Nuk mund të lihej anash edhe martesa e tij me vajzën e njërit prej njerëzve më të pasur në Indi. I përgatitur, bankier, kancelar, plot energji për të ardhmen dhe me një stil të veçantë në fushatën për të kryesuar konservatorët, Rishi Sunak na jep disa mësime të vlefshme ne shqiptarëve.

1. Po të mësosh ia del

Rishi Sunak vjen nga një familje e nivelit të mesëm, ku e ëma ishte farmaciste dhe i ati punonte në shëndetësi. Ashensori social në vendet anglosaksone funksionon. Nuk diskriminohesh. Ai mësoi në shkollë, studioi fort, krijoi lidhjet e duhura dhe në moshën 35 vjeçare hyri në politikë. Sot është njeriu më i pushtetshëm në Britani. Orët sipër librave dhe puna sfilitëse dha frytet e saj. Djali i një çifti emigrantësh ia doli me forcat e veta. Sikundër Obama në Amerikë vite më parë kur bëri fushatë me sloganin “Yes, we can!”

2. Britanikët s’kanë komplekse

Duke qenë se ai vinte nga një familje emigrantësh, me logjikën tonë duhej ta kishte të pamundur që të ngjitej në këto nivele. Për fat të keq, për një pjesë të madhe, logjika jonë politike është e thjeshtë – u bë maloku, ky është çam, ky është tropojan, ky është tepelenas, ky është vlleh!

Por kur zgjeron horizontin kulturor dhe politik të vetes, kupton sa gabim është. Imagjino kur një shtet ka këtë horizont kaq të ngushtë, teksa dallon me anë të një biopolitike të fsheshtë qytetarët nga prejardhja e tyre. Por vendet e emancipuara mendojnë ndryshe, ndaj ne emigrojmë atje, e jo ata në Ballkan. Në rrafshin politik, e rëndësishme dhe parësore për ta është të çojmë përpara interesat britanike në ekonomi, gjeopolitikë dhe ekonomi. Kryeministri i radhës do t’i shërbejë interesave që ka Britania, jo e kundërta. Disa dekada më parë, po të lexoje Churchillin do të shihje me përbuzje sa racistë ishin shumë britanikë. Sot, disa dekada më pas, ne kemi mbetur në nivelet e botës së mbyllur të atëhershme, ndërsa britanikët kanë lëvizur nëpër këtë botë globale duke thithur më të mirët e botës nga fusha të ndryshme në Londër. E si të mos shkosh në Londër kur thua se djali i emigrantëve mund të bëhet kryeministër dhe në Amerikë po pate një ide bëhesh miliarder si Zuckerbergu. 

Interesi i këtyre vendeve është mirëqenia e qytetarëve. Ne kemi interes parësor nga vjen Berisha, cilit klani i përket Veliaj, a është Rama mason? 

3. Gjatë leximeve të ndryshme të rastis të shohësh se si shahet ose glorifikohet periudha që kemi qenë nën osmanët. Disa thonë se po të mos ishin osmanët sot do ishim Zvicër, e të tjerë thonë se vetëm pse ishin osmanët sot kemi mbijetuar. Pra, ose të vdekur, ose të gjallë, vetëm prej perandorisë. E njëjta me logjikën e Amerikës. Prej saj shpëtuam, prej saj jetojmë. Këta janë puthadorët e perëndorive. Dje osmanët, sot amerikanët, nesër kinezët… 

Osmanët, si britanikët sot që kanë një kryeministër me origjinë indiane në krye, kishin rreth 26 vezirë të mëdhenj me origjinë shqiptare. Më herët kemi pasur njerëz të shquar nën Bizant, Romë apo Papë shqiptarë. Logjika sot është e thjeshtë – siç punon për interesat britanike Sunaku, edhe vezirët e ashtuquajtur shqiptarë punonin për interesat e Stambollit. Ne ishim koloni dhe mbetemi të tillë, sepse, në shumicë, fatkeqësisht nuk shohim më larg se krahina prej nga vijmë dhe kemi ndërgjegje të zbehtë politike. Në rendin e sotëm politik, nacionalzimi matet me fuqinë e institucioneve, jo gjatësinë e kryeministrit apo këngën e radhës me lahutë. 

Emancipimi i mëtejshëm i shoqërive shqiptare, në trojet tona etnike, duhet ta kapërcejë romatikën nacionaliste të shekullit të shkuar, për të shkuar te ide universale si për shembull të drejtat e njeriut, sepse vetë kombi është aktualizim i ideve universale – liria, barazia, qytetaria.

AntwortenWeiterleiten

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *