Në një shkrim në rrjetet sociale, analisti Enver Robelli ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mungesën e rezultateve konkrete në fusha kyçe si infrastruktura, arsimi dhe ekonomia. Ai ka vënë në pah hendekun e madh mes premtimeve dhe realizimeve, duke theksuar nevojën për reflektim dhe ndryshime në menaxhimin qeveritar.

“Kjo qeveri e Kosovës nuk ka rezultate të prekshme në disa fusha: infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politikë të jashtme dhe zhvillim ekonomik që rrit mirëqenien e qytetarëve. Përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi shefin e qeverisë. Dështimet tani – në prag të zgjedhjeve – nuk mund të mbulohen me lajme pompoze se po hidhen themelet e “industrisë ushtarake”. Në të vërtetë ishte vendosur të krijohet një komision ndërministror për vlerësimin e procedurave, negociatave… I ngjan atij premtimit të para disa viteve kur Brezovica do të bëhej qendra më e madhe e skijimit në Europën Juglindore.
Para se të bëhen hapa të tillë kinse kolosalë në “industrinë ushtarake”, do të ishte mirë të ndërtohej ajo ura e famshme te liqeni i Badovcit. Ky është një nga 1001 shembujt ku mes premtimit dhe realizimit qëndron i hapur një hendek i madh. Dhe hendeku nuk mbyllet nëse shefi i qeverisë nuk i sheh të metat dhe nuk i tërheq konsekuencat. Një nga këto konsekuenca do të ishte menaxhimi i ekipit qeverisës dhe rifreskimi i tij. Kjo është dashur të ndodhë qëmoti. Në politikë (sidomos), kryeneçësia që shitet si parimësi është ves, jo virtyt.” – shkruan Robelli.

By Editor