Gazetari dhe publicisti Enver Robelli komentoi intervistën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj duke theksuar se akuzat e këtij të fundit ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt ishin shumë të rënda.
Sipas Robellit, sfida kryesore për SPAK-un mbetet gjetja e 130 milionë eurove të inceneratorit të Tiranës që nuk u ndërtua kurrë. Nësë ky institucion nuk arrin të zbulojë se kush i mori këto para, për Robellin do të thotë dështim i plotë për SPAK-un.
“Arben Ahmetaj ka qenë me vite të tëra numri dy në qeverinë e Edi Ramës. Tani ai kërkohet nga drejtësia e cila e akuzon për korrupsion. Sonte Arben Ahmetaj foli nga ekzili dhe ngriti akuza shumë të rënda kundër Edi Ramës, Erion Veliajt dhe gazetarëve të afërt me ta për përfitime ilegale financiare nga skema e inceratorëve (impianteve për djegien e bërllokut).
Nga moria e akuzave dhe kundërakuzave është e pamundur të thuhet se kush është fajtori dhe a ka një fajtor të vetëm për këtë mega-aferë. Por një gjë është e sigurt: vetëm në rastin e inceratorit të Tiranës janë harxhuar 130 milionë euro nga buxheti i shtetit. Dhe inceratori NUK është ndërtuar fare. Në xhepat e kujt përfunduan 130 milionë euro? Pa hetim të plotë të këtij rasti, zbulim të fajtorëve dhe dënim të tyre, drejtësia e re dhe SPAK-u rrezikojnë të mbesin vetëm një përrallë. Nëse rasti i Tiranës hetohet si duhet, nuk përmbyset vetëm pushteti, por edhe shteti.” – shkruan Robelli në fejsbuk.