Shkrimtari dhe analisti Ruben Avxhiu ka ndarë një shkrim ku thekson rëndësinë historike të kandidimit të shqiptaro-amerikanit Robert Lulgjuraj për Kongresin Amerikan, duke e konsideruar këtë moment si një mundësi të rrallë për përfaqësimin shqiptar në Washington.
Sipas Avxhiut, shqiptarët në New York dhe Connecticut do të kenë të dielën, më 7 dhjetor, mundësinë të takojnë dhe të mbështesin financiarisht kandidatin republikan për Distriktin 10 të Michiganit. Dy evente janë planifikuar: në “Club A Steakhouse” në Manhattan, në orën 14:00, dhe në “Townhouse” në Greenwich, Connecticut, në orën 18:00.
Nëse zgjidhet, Lulgjuraj do të bëhet shqiptaro-amerikani i parë me prindër emigrantë nga Ballkani që hyn në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA – një hap që Avxhiu e cilëson si historik jo vetëm për komunitetin shqiptar, por edhe për vetë skenën politike amerikane.
Lulgjuraj, aktualisht ndihmës prokuror në Michigan, po garon në një zonë ku republikanët kanë fituar në vitet e fundit. Ai pritet të përballet fillimisht me kandidatë të tjerë republikanë për të siguruar nominimin, përpara se të sfidojë rivalin demokrat në zgjedhjet e vitit 2026.
Avxhiu nënvizon se Lulgjuraj ka dy avantazhe të rëndësishme: ai kryeson në mbledhjen e fondeve brenda kampit republikan dhe po garon në një distrikt që historikisht i ka favorizuar republikanët. Megjithatë, sfida mbetet e fortë, pasi distrikti konsiderohet “fushëbetejë” ku të dy partitë mund të fitojnë.
Presidenti Donald Trump, sipas Avxhiut, ka treguar interes për këtë distrikt, duke e konsideruar atë jetik për balancat në Kongres. Nëse Lulgjuraj fiton, ai mund të ketë një linjë direkte me Shtëpinë e Bardhë, çka do ta bënte përfaqësimin shqiptar shumë më të fuqishëm në Washington.
Distrikti 10 në Michigan është ndër zonat me më shumë shqiptarë në SHBA dhe vota e tyre mund të luajë rol vendimtar. Avxhiu apelon komunitetin që të mbështesë financiarisht kandidatin e ri, duke theksuar se fitorja e tij do të sillte jo vetëm një arritje historike, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme lobimi për çështjet shqiptare në Amerikë.
Në përfundim, Avxhiu e quan Robert Lulgjurajn “një patriot të vërtetë”, duke e konsideruar zgjedhjen e tij një fitore jo vetëm për komunitetin shqiptar, por edhe për vetë SHBA-në.

