Në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet sot seanca e shqyrtimit fillestar për rastin e rezervave shtetërore, ku në cilësinë e të akuzuarës figuron edhe ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti më 11 nëntor aktakuzë ndaj Hajdarit, duke e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me menaxhimin e rezervave shtetërore. Sipas aktakuzës, Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dyshohet se kanë keqpërdorur postet e tyre për të përfituar pasuri për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm prej rreth 3 milionë euro për buxhetin e Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Hetimet pretendojnë se të akuzuarit kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk arritën kurrë në Kosovë. Të tre akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Një i katërt, R.M., dyshohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave.
Ministrja Hajdari ka cilësuar aktakuzën si një “tendencë politike” ndaj qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Më 2023, tre persona u arrestuan në lidhje me këtë rast, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane. Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve, ku u pretendua se blerjet për rezervat shtetërore nuk kishin arritur në Kosovë.
Hajdari ka deklaruar se blerjet janë kryer sipas ligjit, por nuk ka dhënë hollësi për shkak të natyrës sekrete të informacionit. Ajo gjithashtu ka akuzuar policinë se ka marrë dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore gjatë bastisjeve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është thirrur si dëshmitar, por deri tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke insistuar të japë dëshminë në Kryeministri.

