Kapiteni i Kosovës ishte ai që u kërkoi bashkëlojtarëve të largohen nga fusha në fundin e ndeshjes me Rumaninë pas koreve raciste në tribunat e Arenës së Bukureshtit.
Amir Rrahmani u paraqit në konferencën për shtyp pas ndeshjes duke shpjeguar arsyen e largimit nga fusha. “Sonte ka pasur ofendime dhe thirrje raciste gjatë gjithë ndeshjes. Kemi kërkuar tri herë të marrin masa. Ne kemi shkuar në dhomat e zhveshjes, situata është përkeqësuar edhe më shumë. Për këtë arsye kemi vendosur të mos kthehemi në fushë. Bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të ndërmarrin masat e nevojshme. Vendi ynë ka një të kaluar të vështirë. Ka pas luftë, masakra dhe nuk ka qenë e lehtë të arrihet këtu. Kosova është Kosovë dhe kështu do të mbetet”- tha Rrahmani.
Mediat rumune zbuluan se lojtarët e Kosovës patën biseda telefonike me zyrtarë të UEFA-s në përpjekje për t’i bindur të rikthehen në fushë, por ata sërish refuzuan.
Rrahmani pati një përplasje fizike me sulmuesin rumun Alibek në fundin e sfidës çka nxiti thirrje raciste në shkallët e stadiumit.
Kjo është një situatë e përpsëritur pasi dhe në përballjen e një viti më parë, tifozët rumunë shfaqën një banderolë raciste në stadium çka solli ndërprerjen e takimit për rreth një orë.