Nga Leka Ndoja
Nga cikli “Krestomancia e historiografise”
Letersia shqipe sh. XX-XXI
Miti i Odiseut
Teoria e transmigrimit, sipas së cilës shpirti nuk vdes dhe transferohet në një trup tjetër si një filozofi panteiste, është vënë në funksion të ndërtimit dramatik të personazhit të Izës, bijës së shkrimtarit të vdekur në mërgim. Kthimi i saj si simbiozë e shpirtit të të atit shkrimtar të vdekur në dhe të huaj me, si një porosi apo amanet i mbajtur nga vajza për të parë plangun e shtëpisë ashtu si Odiseu që nuk e njohu fillimisht Itakën e ndryshuar ashtu edhe shpirti i shkrimtarit në sytë e së bijës Izës, mezi e njehson shtëpinë nga transformimi dhe humbja e shkëlqimit të dikurshëm që e ka bërë të mezi dallueshme.
Arketipi i kthimit në Itakë
Edhe personazhet janë bërë arketipí të personave të ndryshëm të veshur me atë ideologji të kohës së komunizmit duke u bërë përfaqësues të mendimeve të shprehura në publik kundër shkrimtarit të mërguar. I ati i Izës ashtu si edhe Iza e bija e shkrimtarit në dramë përmban shumë elemente autobiografike të Ernest Koliqit. Që nga përshkrimi i shtëpisë në Shkodër me rekuizitën e shtëpisë dykatëshe të familjes që përshkruhet me hollësitë më të vogla, që nga lulet e pemët e myshqet deri tek aromat e tyre, të cilat i japin dramës një ton elegjiak edhe romantik.
Këto prekin ndjenjat e vajzës dhe e tejkalojnë rolin e një misionareje të saj, ajo përfshihet edhe vetë në këtë peisazh e përkujtesë dhe mishërohet nga e shkuara në të tashmen. Pa pasur ekzigjenca të tjera përveç atyre të përmbushjes së detyrës, ajo s’pretendon rikthimin e pronës nga amaneti i nostalgjisë për t’iu prehur në paqe shpirti i shkrimtarit që vepron në dramë si aktant përcaktues ndonëse i pashfaqur, por ajo e le të hapur kthimin e kurdohershëm na atë parajsë atërore kujtimesh, burim i një situate të mërgimtarit të brengosur, nga pengu i së shkuarës jetëdhënëse.
Miti i Eneas
Më fort nostalgjia e Koliqit në këtë dramë afrohet me atë të Eneas së larguar nga Troja e djegur kujtimet e të cilit janë bazë e një rindërtimi të një atdheu të dytë në brigjet Lavinje të Lacios për të themeluar një plang të ri, duke lënë babain në atë Trojë të djegur nga rrethuesit e pashpirt.
Miti i Hamletit
Iza është e thirrur nga një amanet Hamletian si intertekst, struktura e dramës e ka këtë element në bazë të saj pra amanetin. Ajo e rimerr detyrën e pakthyeshme e të vështirë të besuar në trashëgimtaren e shkrimtarit, vajzën Iza, e cila është e njoftuar për duruar edhe sharjet ndaj veprimtarisë së të atit, kur kishte ndofarë pushteti si ai i Hamletit por ndonëse nuk është helmuar nga i vëllai miti i helminit shpirtëror përcillet tek vajza me një forcë hamletiane por hakmarrja e tij është rikujtesa përmes transmigrimit, hakmarrja e shkrimtarit është rikthimi në ishullin nga u përjashtua dhe pozitën e tij e kanë rrezikuar të tjerët ndonëse pa një Penelopë, si mungesë sintagmatike.
Kthimi si ritual shëlbyes e rimishërim
Ekspedita e Izës kërkon të konfirmojë karakterin e tij, si një lehtësim të dytë për të dëgjuar me veshët e saj të drejtën morale të të atit. Shkrimtarin e ka brerë dyshimi për qendrimin e tij prandaj e përball me pernonazhe kundërshtues vajzën që mbledh kujtime të të atit pa i paragjykuar kumtet e personazheve, të formuar në një kohë diktature dhe me opinione të deformuara për realitetin. Verifikimi i udhëpërshkrimit politik dhe etik është filli moral që e përshkon dramën, është një mbrendi. Ndërsa drama si pjesë e teatrit është moderne ndonëse me një pamje, ajo shpreh ankthin e krizës së subjektit në kontakt me personalitetin e shformuar nga faktorë të jashtëm por edhe artistikë.
Vënia në skenë e kësaj vepre artistike ndonëse nuk ka veprim dramatik dialogon me një tragjedi kolektive. Gjithsesi personazhi kryesor në këtë vepër është Pjerin Sinadini ndonëse i kurrëshfaqur.
Pjerin Sinadini dhe Virgjili
Personazhi i papranishëm i Pjerin Sinadinit e shoqëron bijën Izë në Shkodrën purgatoriale pasi qyteti sapo ka kapërcyer “Ferrin”, si shpirt përcjellës virgjilian. Virgjili në “Komedinë Hyjnore” të Dantes, e shoqëron poetin në dy kantikat e para: “Ferri” dhe “Purgatori”, ndërsa Pjerin Sinadini rivishet nga autori, me një reminishencë të një personazhi modern të teatrit të absurdit si Godoja, në dramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beketit (1953), ku Vladimiri dhe Ekstragoni e përmendin dhe e presin pafund.
Interaktanti i papranisë, është një krijim që të befason me guximin artistik të një krijuesi që vjen nga proza e lartësuar e Koliqit për ta theksuar një burim të gjinisë së poezisë dhe dramës, drejt kësaj thirrjeje tregimtare të autorit.
Për këtë arsye vepra mjaftohet me një gjetje nostalgjike danteske, duke krijuar një sfond për sekuencat e qendrimeve të njohura pa i futur në ndërveprim dramatik, duke nënvizuar së shumti gjendjet dhe situatat paradoksale të një krize, që me hijet e saj ve në dyshim edhe bazën e konfliktit, me rënien e kontrasteve dhe të besimeve të mëdha sociale dhe idealistike. Por të gjitha këto sekuenca vishen me tisin purgatorial të shpirtërave të që e kanë kapërcyer cakun e jetës.
Në gojën e Izës, mjaft debate të lëna pezull sikur fashiten ose rihapen në mendimin autorial, pengje të një veprimtarie që njeh te arti, ritualin e rrëfimit duke u përsiatur në këto problematika për të shenjuar një paanësi kritike transindividuale, për t’u vetëqortuar apo argumentuar në veprimet politike e njerëzore të një shoqërie në lëvizje, duke mbajtur një raport të peshuar mbi atdheun e subjektet e tij.
Një frymë tolerimi të çliruar nga mëkatet, dhimbjet e revanshet danteske i lehtëson dialogjet e Izës me pushtuesit e shtëpisë atërore, duke pranuar pasojat e diktaturës në terma të filozofisë kristiane.
Këto koncepte e funksione të veprimtarisë së autorit në një stil autobiografik u janë veshur Izës, së bijës së Pjerin Sinadinit dhe në mendimet e Ndrekës kujdestarit të shtëpisë së Sinadinëve edhe në mendimet e shfaqura te Shuku.
E shoqja e Shukut paralajmëron Shukun, për një punë të pagrat në fushën e letrave me kthimin e demokracisë. Kjo profeci e Koliqit në vitin 1965, kur e shkroi dhe botoi dramën e ka burimin në realitetin e viteve ’30 të Shqipërisë por edhe e përvojave të emigracionit intelektual, sidomos në Itali dhe SHBA të mirënjohura nga autori si editor i revistës “Shejzat”.
Në revistën “Shejzat”.
Tema e rënies së mureve ideologjike pa luftë, si një idealizëm i autorit që gjithsesi merret me pasojat ekzistenciale të përplasjes mes dy kampeve lindje-perëndim, që në veprën teatrore merret e mirëqenë dhe e kryer.
Zgjidhja e dramës pikëzohet në rimishërimin, në konceptin e Nirvanas, në kalimin e shpirtit artistik nga shkrimtari i traditës Pjerin Sinadini te Shuku, i cili ndjen në shpirt rrënjët e traditës, burimin nacional të shkrimtarisë, si një atu e shkrimtarit të mërguar që përcillet për t’u bërë e përjetëshme si rrymë artistike. Shukut i hapen shënjuesit e traditës në trajtë arome jaseminash, që e dehin dhe i japin vijueshmërinë e motivit për të shkruar.
Ringjallja e traditës si temë, e ka ushqyer krijimtarinë e Koliqit në këtë rikthim të mbramë të tij te arti i madh sikundër te vëllimet me tregime të tij. Kjo dramë është edhe porosia e fundit artistike e Koliqit.