Disa prej të mbijetuarave të abuzimeve të Jeffrey Epstein kanë ndarë për BBC historitë e tyre të dhimbshme, duke rrëfyer përvojat në ishullin privat Little St. James dhe në fermën e tij në New Mexico.
Joanna Harrison, një nga viktimat, tha se vendosi të flasë publikisht pasi emri i saj doli në pah pas publikimit të dokumenteve zyrtare. Ajo u shpreh se për vite me radhë ka jetuar me ndjenjë turpi dhe frike, ndërsa kujtimet e përjetimeve të saj i janë rikthyer vazhdimisht.
Sipas dëshmive, shumë prej abuzimeve nisnin me situata që dukeshin të zakonshme, por më pas përshkallëzoheshin në përvoja të rënda dhe traumatike. Të mbijetuarat kujtojnë edhe ambientet e izoluara ku qëndronin, të cilat i përshkruajnë si të errëta dhe frikësuese.
Disa prej tyre shprehën dyshime se persona me ndikim, të pranishëm në rrethin e Epstein, mund të kenë qenë në dijeni të asaj që ndodhte. Në rrëfimet e tyre përmenden gjithashtu udhëtime dhe takime me figura të njohura ndërkombëtare, duke theksuar se rrjeti i lidhjeve të tij ishte shumë i gjerë.
Të mbijetuarat theksojnë se e vërteta ende nuk është zbardhur plotësisht dhe se shumë pyetje mbeten pa përgjigje, sidomos pas vdekjes së Epstein. Ato kërkojnë drejtësi dhe një hetim të plotë për të gjitha ngjarjet e ndodhura.
