Nga Sokol Kolgjini

Ka vite që diferenca në çmimin e karburanteve midis Shqipërisë dhe shteteve kufitare është e konfirmuar dhe me rritje progresive vit pas viti. Shkaku kryesor për këtë diferencë është taksa e qarkullimit, vendosur në bazë të ligjit 157/2014, e cila e rrit çmimin e karburantit me 32.40 lekë për litër. Kjo taksë krijon diferencën kryesore, sepse këtë taksë nuk e ka asnjë vend tjetër veç nesh. Duke shtuar këtu edhe gjashtë taksat e tjera që ne kemi mbi karburantet, e bëjnë këtë produkt më të shtrenjtin në rajon.

Për qytetet kufitare, fillimisht kjo u duk si favorizim, por për shkak të pasojave negative me efekt zinxhir që jep karburanti, kjo u kthye në bumerang, të cilin do ta shpjegojmë më poshtë.

Shkallëzimi i taksimit, që aplikohet nga vendet e rajonit, veçanërisht ai i TVSH-së, krijon një diferencë të ndjeshme në çmimet e produkteve krahasuar me ato të vendit tonë. Kryesisht kjo ndodh për produktet bujqësore, blegtorale dhe ushqimet e shportës, të cilat tatohen nga 12 deri në 14% më pak se tek ne. Për pasojë, kjo sjell çmime më të shtrenjta në tregun tonë, progresivisht nga 14-18% për këto produkte. Kjo diferencë jo vetëm që favorizon këto produkte në vendet kufitare, që të jenë të pakonkurrueshme në tregjet e tyre, por edhe stimulon blerjen nga klientët e qyteteve tona kufitare, gjë e cila vendos në krizë edhe rrjetin tregtar vendas.

Për të plotësuar tablonë, goditjen finale e jep çvlerësimi i valutës dhe forcimi fiktiv i lekut. Efekti kryesor i tij është te prodhuesi. Së pari, ky çvlerësim ka çuar në falimentimin e bizneseve eksportuese, të cilat sillnin valutë të pastër brenda vendit. Së dyti, ka shkaktuar rënien e interesit për prodhimin vendas, pasi produkti i importit ofrohet me çmim më të lirë kur blihet në euro, pikërisht për shkak të rënies së saj fiktive.

Të tre këto probleme së bashku, duke amplifikuar njëri-tjetrin, na çojnë në një situatë të cilën, për thjeshtësim, po e konkretizojmë me atë që po ndodh në fakt:

Një qytetar i Shkodrës, Tropojës, Hasit, Kukësit, Peshkopisë… e deri te ai i Pogradecit dhe Sarandës, shkon në qytetin e tij kufitar për të blerë naftën që është 40-50 lekë/litër më lirë dhe, me diferencën e mbetur (të fituar), blen edhe ushqimet bazë për familjen e vet, të cilat edhe këto i ka më lirë, për arsyet që renditëm më lart.

E, nëse do të bëjmë një konkluzion përmbledhës se ku na çon kjo situatë e krijuar, atëherë mund të themi se ne po kthehemi në një vend që nuk prodhon asgjë, nuk krijon të ardhura nga asgjë, nuk tregton asgjë, por vetëm konsumon. E kjo nuk mund të zgjasë shumë.

Kjo sepse:

• Na ofrohet karburanti, energjia e zhvillimit të një ekonomie me mbitaksime dhe çmim shumëfish më të lartë se rajoni.

• Taksohemi padrejtësisht, jo proporcionalisht me ekonominë tonë dhe më shumë se rajoni.

• Kemi vlerësim fiktiv të lekut e valutës dhe, për pasojë, vlerë fiktive të punës, të pagës, të aseteve dhe të gjithë ekonomisë.

Prandaj, te ne po falimenton eksportuesi; po demotivohet prodhuesi; po favorizohet importi; dhe po shkatërrohet rrjeti tregtar.

A po ndodhin të gjitha këto për shkak të injorancës së pushtetarëve?! Të papërgjegjshmërisë?! Të babëzisë?!

Nga? Nuk e di!

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *