Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar vendosjen e një bllokade totale ndaj të gjitha cisternave të naftës që transportojnë naftë nga Venezuela. Mediat ndërkombëtare raportojnë se vendi është rrethuar nga forca më e madhe detare e vendosur ndonjëherë në Amerikën e Jugut, ndërsa Trump akuzon regjimin e presidentit Nicolas Maduro për terrorizëm, trafik droge dhe trafikim të qenieve njerëzore.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin e tij social, Trump thekson se Venezuela është tashmë plotësisht e rrethuar nga një prani ushtarake detare e paparë më parë, e cila, sipas tij, do të vijojë të forcohet. Ai paralajmëron se presioni ndaj Karakasit do të jetë më i madh se kurrë, deri në momentin kur nafta, toka dhe asetet që, sipas tij, janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga interesat amerikane, t’u kthehen Shteteve të Bashkuara.
Trump e cilëson regjimin e Nicolas Maduros si të paligjshëm dhe e akuzon për përdorimin e të ardhurave nga fushat e vjedhura të naftës për të financuar narkoterrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, si edhe krime të rënda si vrasje dhe rrëmbime. Për këto arsye, sipas tij, qeveria venezueliane është shpallur nga SHBA-të si një “Organizatë e Huaj Terroriste”.
Në këtë kuadër, Trump njofton se ka urdhëruar një bllokim të plotë të të gjitha cisternave të naftës nën sanksione, si në hyrje ashtu edhe në dalje nga Venezuela, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën e zbatimit apo kohëzgjatjen e masës.
Sipas raportimeve mediatike, Trump i referohet edhe çështjes së emigracionit, duke pretenduar se emigrantët dhe kriminelët e paligjshëm që, sipas tij, u dërguan në Shtetet e Bashkuara nga regjimi i Maduros gjatë administratës së Joe Biden, tashmë po kthehen në Venezuelë me një ritëm të shpejtë.

