Futbolli serb rrezikon të përballet me një tjetër goditje të rëndë nga FIFA. Sipas mediave në Beograd, institucioni më i lartë i futbollit botëror po shqyrton mundësinë e vendosjes së një dënimi disiplinor ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, pas sjelljes së tifozëve në ndeshjen kundër Anglisë.
Në sfidën e zhvilluar të martën në mbrëmje, e cila përfundoi me fitoren e thellë 0-5 të “Tre Luanëve”, në shkallët e stadiumit “Rajko Mitiç” u dëgjuan thirrje me përmbajtje nacionaliste, përfshirë slogane politike që lidhen me çështjen e Kosovës. Pikërisht këto kore kanë bërë që FIFA të nisë një hetim të ri ndaj Serbisë, duke marrë parasysh precedentët e shumtë të viteve të fundit.
Gazeta serbe “Alo” raporton se këtë herë dënimi mund të jetë më i ashpër se zakonisht. Nuk bëhet fjalë vetëm për reduktimin e numrit të tifozëve apo mbylljen e disa sektorëve të stadiumit, por për mbylljen e plotë të “Marakanës së Beogradit” në ndeshjen e radhës. Dhe kjo sfidë është pikërisht ajo kundër Kombëtares së Shqipërisë, më 11 tetor, për kualifikueset e Botërorit 2026.
Një vendim i tillë do të ishte një avantazh i madh për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo, pasi mungesa e publikut serb do të ulte ndjeshëm presionin e zakonshëm që krijohet në Beograd. Për më tepër, Shqipëria ndodhet në një moment pozitiv dhe një rezultat i favorshëm jashtë fushe mund të ishte vendimtar për objektivin e madh – kualifikimin në Kupën e Botës për herë të parë në histori.
Federata Serbe e Futbollit nuk ka reaguar ende zyrtarisht mbi këto raportime, por burime pranë saj kanë konfirmuar për mediat lokale se janë në dijeni të procedimit disiplinor dhe se po përgatitet një mbrojtje për të shmangur dënimin më të rëndë. Megjithatë, precedentët nuk i favorizojnë serbët: gjatë viteve të fundit ata janë gjobitur dhe ndëshkuar disa herë për sjelljen e tifozëve, si në ndeshjet ndërkombëtare, ashtu edhe në ato të kompeticioneve europiane.
Vendimi i FIFA-s pritet të merret në javët e ardhshme dhe do të përcaktojë nëse sfida Serbi – Shqipëri do të zhvillohet me praninë e publikut, me sektorë të mbyllur, apo në një stadium bosh.