Policia e Shtetit ka vendosur pezullimin e qarkullimit të automjeteve në segmentin rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikut të lartë nga ortekët e dëborës, të shkaktuar nga përkeqësimi i kushteve atmosferike.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është marrë pas një analize të detajuar të riskut dhe në koordinim me inxhinierët e firmës kontraktore që ka në përgjegjësi mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor. Autoritetet theksojnë se rrezikshmëria është e lartë, veçanërisht për shkak të mundësisë së rrëshqitjes së masave të dëborës dhe kufizimit të dukshmërisë.
“Për arsye sigurie, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve gjatë natës në segmentin Bogë–Qafë Thore–Theth. Rruga do të qëndrojë e bllokuar deri në orët e mëngjesit,” bën me dije Policia e Shtetit.
Më tej, sqarohet se kalimi do të lejohet vetëm në raste emergjente dhe vetëm nën shoqërimin e mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore.
Policia u bën thirrje drejtuesve të automjeteve dhe banorëve të zonës të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve, për të shmangur rrezikimin e jetës.

