Deputeti i PD për qarkun e Kukësit, Isuf Çelaj, ka ngritur sot alarmin për një rrezik të madh që u kanoset banorëve të Fierzës dhe Tropojës, pasi gurë me përmasa të mëdha kanë rënë në asfalt dhe të tjerë rrezikojnë të shkëputen në aksin Fierzë–Bajram Curri.

Sipas Çelajt, një banor nga Fierzë i ka dërguar një mesazh shqetësues ku nënvizohet se në zonën e Gegëhysenit, gurë të rëndë me tonelata ndodhen në prag shembjeje drejt rrugës nacionale, duke rrezikuar jetën e banorëve që e përdorin këtë segment çdo ditë.

Në mesazhin e banorit thuhet se pavarësisht njoftimeve të bëra ndaj Bashkisë dhe kërkesave për ndërhyrje emergjente, nuk ka pasur asnjë reagim. Ai paralajmëron se, nëse situata nuk zgjidhet, banorët do të organizojnë protestë me bllokimin e rrugës dhe hyrjes në HEC-in e Fierzës, duke kërkuar mbështetjen e deputetit për njoftimin e institucioneve përgjegjëse.

Deputeti Çelaj u bashkua thirrjeve të banorëve, duke apeluar tek Emergjencat Civile, Bashkia Tropojë dhe Njësia e Emergjencave pranë Prefekturës së Kukësit që të ndërhyjnë menjëherë. Ai thekson se ndërhyrja është e thjeshtë dhe me kosto të ulët, dhe se rreziku mund të shmanget brenda një dite pune.

Çelaj kërkon veprim të menjëhershëm për të shmangur një ngjarje që mund të shndërrohet në tragjedi për komunitetin lokal.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *