Nga Faik Konica

…Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rrezik, -të paktën jo edhe për shumë kohë. Por kjo s’do të thotë se jemi të siguruar në çdo rast dhe në çdo mënyrë. Asnjë shtet nuk është i shiguruar plotërisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkruar, arrin të hedhim një sy në historin’ e sotme, për të kuptuar se shtetet, si njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin,-dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri, vazhdon edhe ca kohë, ahere optimisma s’ka vend dhe trembem se diç do ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve “udhëheqës” do t’u vijnë mënttë dhe punët do të shtrohen. Por në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria –fjalë fatale-vdes, ahere mund pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:

U – NGJALL NGA IDEALISTËT,

U – RUAJT NGA RASTET,

U – VRA NGA POLITIKANËT.

Po. s’kam dyshim se politikanët, – turma e errët e njerësve që e përdorin politikën jo si udhë por si një qëllim –kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s’këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam çfaqur arsyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t’i këndoj me rregull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arriva të zbuloj gjësendi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *