Ka imazhe që nuk janë vetëm fotografi historike, por rrëfime të një tragjedie njerëzore. Ajo e vitit 1899 që na e rikthen Friedrich Nietzsche-n si një hije të vetvetes, i thyer, i shuar, i mbyllur në një spital psikiatrik, është ndoshta më e dhimbshmja ndër to. Nuk ka më asgjë nga filozofi që tronditi botën me guximin për të sfiduar Zotin, moralin dhe vetë themelet e qytetërimit perëndimor. Ka vetëm një trup të konsumuar, një shikim të zbrazët dhe një heshtje që bërtet më shumë se të gjitha aforizmat e tij.

Fillimi i fundit: Torino, 3 janar 1889

Ajo çfarë ndodhi atë ditë derisa një trajner po rrihte brutalisht një kalë, mbetet një nga episodet më të çuditshme dhe më njerëzore të historisë intelektuale. Nietzsche, prej kohësh i rraskapitur nga migrena shkatërruese, konvulsione, depresion i thellë dhe një shikim që venitej nga dita në ditë, u thye para një akti dhune që nuk mund ta toleronte.

Filozofi i “vullnetit për pushtet”, i “mbinjeriut” dhe i “gëzimit tragjik”, u hodh drejt kalit, e përqafoi, e puthi. Pastaj u shemb. Ky nuk ishte triumfi i mbinjeriut, por tronditja e një zemre të ndjeshme që nuk duroi dot më dhimbjen e botës.

Që nga ai moment, Nietzsche nuk u kthye kurrë më pas te vetvetja. Filloi të shkruante letra me delir mystik, të nënshkruara “Dionisi”, “Zot”, “Kryqëzuari”, duke shpallur apokalipse dhe vetëshpëtim. Ishte tashmë i humbur në botën e vet.

Shumë është folur mbi shkakun e çmendurisë së Nietzsche-s: sifilizi, tumori, dëmtimi vaskular. Por diagnoza, sado e rëndësishme, nuk arrin dot ta shpjegojë tërësisht rënien e tij. Sepse Nietzsche nuk u thye vetëm trupërisht, u thye edhe shpirtërisht, etikisht, ekzistencialisht.

Ai jetoi në një intensitet që pak mendje njerëzore mund ta durojë. Mendimi i tij ishte flakë, vizion, dhimbje e zgjatur, një kërkim i pareshtur i të vërtetës së pakompromis, që nuk i kursen as qëniet më të forta. Nietzsche nuk jetoi filozofi: ai u dogj prej saj.

Siç thotë Georges Bataille:

“Nietzsche ishte shumë i madh për t’u mbrojtur nga vetja.”

Pas shtrimit në Jena, jeta e tij u kthye në hije: i paralizuar, pa të folur, i burgosur në një trup që nuk i bindet dhe në një mendje që ka humbur çdo vijë orientimi. Për njëmbëdhjetë vjet rron në këtë heshtje: më parë nën kujdesin e së ëmës, pastaj nën kujdesin e së motrës Elisabeth, e cila jo vetëm ruajti trupin e tij, por edhe e tradhtoi mendimin e tij.

Ajo manipuloi dorëshkrimet, i shtrembëroi idetë, i ktheu lehtësisht në ushqim për nacionalizmin dhe antisemitizmin, doktrinat që Nietzsche i përbuzte me neveri.

Kjo është tragjedia e dytë e tij: jo vetëm humbja e mendjes, por edhe deformimi i trashëgimisë.

Nietzsche vdes në vitin 1900, në moshën 55-vjeçare. Vdekja ishte çlirimi i tij i fundit.

Ai jetoi dhe mendoi në një intensitet që nuk mund të zgjasë gjatë. Ishte një kometë, e bukur, e papërballueshme, e pashpjegueshme, që la pas një shkëlqim të tillë, saqë shekulli XX, nga Heidegger te Foucault, nga Bataille te Camus, do të ishte i paimagjinueshëm pa të.

Nietzsche e çoi filozofinë pranë skajit të saj më të rrezikshëm: të vërtetës që djeg, të mendimit që të lë pa ajër, të pyetjeve që askush nuk guxon t’i bëjë.

Episodi me kalin, i parë në këtë dritë, nuk është çmenduri: është simbol. Filozofi i forcës nuk u thye nga logjika, as nga ideologjitë, por nga dhembshuria. Nga pamundësia për të përballuar dhunën që i nënshtrohej një krijese të pafajshme. Ky gjest i fundit njerëzor i Nietzsche-s, përqafimi i një kafshe të rrahur, është ndoshta pasazhi më i butë i jetës së tij.

Studiuesi Walter Kaufmann do të shkruante:

“Nietzsche nuk e vrau dot njeriu; e vrau zemra e tij.”

Nietzsche ishte një përbindësh mendimi, por jo një përbindësh zemre. Rënia e tij na kujton diçka të rëndësishme:

Askush, as më i madhi ndër mendimtarët, nuk është imun ndaj dhimbjes që i bën zemrës bota.

Por pikërisht aty, në thyerjen e tij, shfaqet figura më e pastër njerëzore e Nietzsche-s.

Ai që na mësoi të mendojmë përtej moralit tradicional, por që në fund u shemb nga një akt dhembshurie.

Ai që shpalli “vdekjen e Zotit”, por la pas një metaforë të dhimbshme për brishtësinë tonë.

Dhe mbase për këtë arsye, Nietzsche mbetet më njerëzor se kurrë, në fund, një gjigant që u dogj nga drita e së vërtetës dhe që vetëm tek dhembshuria gjeti çarjen e vetme ku mund të thyhej.

Përgatiti: Albert Vataj

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *