Çmimet e eksportit të zarzavateve shqiptare kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajit gusht, me një mesatare prej 5.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimi mesatar për një kilogram zarzavate është ngjitur nga 84.6 lekë në gusht 2024 në 89.1 lekë në gusht 2025, duke reflektuar jo vetëm kërkesën më të lartë, por edhe përmirësimin e cilësisë dhe logjistikës së eksportit.

Pavarësisht rënies së përgjithshme të sektorit bujqësor në vend, eksportet e produkteve bujqësore janë rritur ndjeshëm si në vlerë ashtu edhe në sasi. Gjatë gushtit, jashtë vendit u eksportuan mbi 5,413 tonë zarzavate, nga 3,089 tonë në të njëjtin muaj të një viti më parë – një rritje prej 75%. Në terma monetarë, vlera e eksporteve arriti në 482 milionë lekë, krahasuar me 261 milionë lekë në gushtin e vitit 2024, çka përfaqëson një rritje vjetore prej 84%.

Sipas aktorëve të tregut, ky zhvillim lidhet me ndryshimet strukturore që po përjeton bujqësia shqiptare. Shumë ferma të vogla janë detyruar të mbyllen për shkak të kostove të larta dhe mungesës së fuqisë punëtore, ndërsa fermat e mëdha, kryesisht ato në sera, po konsolidohen dhe po e orientojnë prodhimin drejt eksporteve.

Eksportuesit po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga kontratat me tregjet e Bashkimit Europian, ku çmimet janë më të larta dhe kërkohen standarde më të rrepta cilësie. Përmirësimet në logjistikë dhe transport kanë lehtësuar ndjeshëm dërgimin e produkteve të freskëta drejt vendeve të BE-së dhe tregjeve nordike, duke rritur fitueshmërinë e sektorit.

Zarzavatet e eksportuara përfshijnë domate, speca, kastravecë dhe produkte të tjera të ngjashme, ndërsa rritja e kërkesës për disa kultura, si bostanorët dhe lakrat, ka zgjeruar gjeografinë e eksporteve shqiptare.

Ndërkohë që eksportet po shënojnë rritje, bujqësia në tërësi mbetet në vitin e pestë të rënies. Shumë ferma të vogla familjare dhe blegtorale po falimentojnë si pasojë e emigrimit dhe mungesës së investimeve. Nga ana tjetër, bizneset e mëdha bujqësore, të fokusuara në eksport, po e shfrytëzojnë këtë vakum për t’u zgjeruar dhe për të përfituar nga kërkesa e lartë e tregjeve të huaja për prodhime shqiptare.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *