Kompania e telefonisë One Albania ka njoftuar se, duke filluar nga 1 maji 2026, do të ketë rritje të tarifave për abonentët e saj.
Njoftimi është bërë përmes një mesazhi të dërguar në telefonat e përdoruesve, ku thuhet se çmimet do të rriten deri në 2.2 për qind, në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit të publikuar nga INSTAT.
Megjithatë, sipas reagimeve të qytetarëve, kjo rritje nuk shoqërohet me përmirësim të shërbimit. Abonentët thonë se, me faturë më të lartë, nuk do të marrin më shumë internet, minuta apo cilësi më të mirë të rrjetit.
Në rrjetet sociale janë shtuar ankesat për mbulim të dobët të sinjalit, ndërprerje të herëpashershme dhe internet të ngadaltë. Shumë përdorues theksojnë se problemet me shërbimin vazhdojnë prej kohësh dhe shpesh mbeten pa zgjidhje.
Pak javë më parë u raportua edhe një ndërprerje e plotë e shërbimit për rreth dy orë, duke lënë shumë abonentë pa komunikim dhe pa internet.
Rritja e tarifave ka nxitur debat mes qytetarëve, të cilët kërkojnë që çdo ndryshim çmimi të shoqërohet edhe me përmirësim real të cilësisë së shërbimit.
