Rrjedhja e gazit në një nga cisternat e fabrikës se gazit të lëngshëm në Porto Romano, ka vënë në alarm banorët e zonës dhe ka detyruar nxënësit e shkollës të bojkotojnë mësimin. Banorët janë mbledhur në protestë duke kërkuar sqarime për rrjedhjen e gazit nga cisterna dhe po ashtu kanë kërkuar largimin e fabrikës nga zona ku jetojnë ose në të kundërt ata nuk do i dërgojnë sërish në shkollë fëmijët e tyre.
Nxënësit e shkollës 9-vjeçare ‘Met Hasa” bojkotuan mësimin të përkrahur nga prindërit dhe komuniteti i zonës. Banorët shprehen se kjo është hera e dytë që gazi rrjedh nga cisternat dhe kjo situatë nuk mund të tolerohet në vazhdim, prandaj ata kërkojnë largimin e fabrikës nga zona pasi ajo është kthyer në rrezik serioz për jetët e tyre. Shkaqet e rrjedhjes së gazit ende nuk janë bërë të ditura.