Rritja e pagës minimale në 500 euro, e paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti për fillimin e vitit të ri, ka sjellë reagime të ashpra nga ish-komandanti i UÇK-së, Rrustem Mustafa – Remi. Ai e ka quajtur vendimin “padrejtësi”, duke theksuar se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdojnë të mbesin jashtë përfitimeve që u garantohen punëtorëve të sektorit privat.
Mustafa ka reaguar publikisht pas njoftimit të Kurtit, duke ngritur shqetësimin se ndërsa paga minimale rritet ndjeshëm, pensioni i veteranëve mbetet i pandryshuar në 212 euro.
“Paga minimale rritet në 500 euro. Pse???!!! Si është e mundur që ndërsa paga ngrihet, veteranët vazhdojnë të kenë të njëjtin pension prej 212 eurosh?”, ka shkruar ai.
Debati mbi trajtimin financiar të veteranëve të luftës është rikthyer kështu në qendër të vëmendjes, në një kohë kur qeveria po promovon rritjen e standardit për punëtorët, ndërsa përfaqësues të veteranëve kërkojnë barazi dhe trajtim më të dinjitetshëm ekonomik.

