Nga Lutfi Dervishi

Nëse e shikon nga ballkoni i dikujt që nuk sheh RTSH-në, që s’di në ç’kanal ndodhet dhe që beson se çdo para publike është më mirë të shkojë për rroga sesa për orkestër simfonike, do thuash: Agron Shehaj ka të drejtë.

Por nëse futesh brenda, jo në zyrat e studiot e institucionit, por në thelbin e asaj që do të duhej të ishte RTSH, do kuptosh se Thoma Gëllçi ka ende një fjalë për të thënë dhe duhet dëgjuar. Duhet dëgjuar për të kuptuar dhe jo për t’i kthyer përgjigje. (Lexo shkrimin e tij në koment):

Pse ka të drejtë Agron Shehaj?

RTSH nuk ka audiencë që të justifikojë as personelin dhe as buxhetin. Pikë. Kjo nuk mund të fshihet.

Publiku i RTSH-së është i vogël. Nëse një media publike nuk arrin të punojë për qytetarin, atëherë pse duhet mbajtur?

Kur pensionisti, si çdo familjar, paguan tarifën për RTSH-në, nuk ka as idenë për çfarë po paguan. Nuk sheh program cilësor, nuk informohet më mirë, nuk ndjen që është përfaqësuar. Sheh filma të vjetër të blerë lirë, lajme “ai tha, ajo tha” dhe “debate” të lodhura.

RTSH sot ka më shumë kanale sesa ndjekës të ndonjë programi. Me gjithë respektin për pluralitetin tematik, kur je në krizë audience, mbase në fillim të duhet një kanal i mirë përpara se të mbash 17 duke i “mbushur”! Mbase duhet të bësh 6 programe shumë të mira, përpara se të vraposh e të prodhosh 60 “programe”.

Kur Agroni thotë “rrisni përgjegjësinë, ulni buxhetin”, ka një logjikë që s’të lejon ta përqeshësh lehtë.

Por kur përgjigjet ndaj Agronit kthehen në personale, kjo krijon përshtypjen e një institucioni që mbron veten, jo publikun.

Dhe kjo i jep pikë Agronit, jo RTSH-së.

Pse ka të drejtë Thoma Gëllçi?

RTSH nuk është supermarket lajmesh, por shtëpi kujtese kolektive.

RTSH ka arkiva që s’i ka asnjë tjetër. Është e vetmja dritare për dokumentarë të vjetër, për ngjarje që s’gjenden në YouTube, për trashëgimi që nuk mund ta shkarkosh me VPN. Dhe kjo nuk matet me klikime.

Një komb pa një media publike të denjë është një komb që flet vetëm me meme.

Kur gjithë hapësira mediatike dominohet nga show, piskama, rrahje, grushta e debat për mustaqet e Çelos, duhet të ketë një transmetues publik që të thotë: “ndal”. Dhe për këtë nevojiten jo shkurtim, por shtim fondesh.

RTSH bëhet.

A mund të mohohet që në kohën e Gëllçit u modernizua transmetimi, nisi dhe u bitis digjitalizimi, u krijua RTSH Tani (që nuk është më), u fut HD, u kthye sinjali në shumë zona? U blenë të drejta televizive (që nuk janë më)? Ja pra, nuk është që s’është bërë asgjë dhe që “çfarëdo që të bësh aty nuk bëhet”. U provua që bëhet me ata njerëz që janë, edhe pa u rritur fondet. Dhe nuk është fjala vetëm për aspektin teknologjik dhe për improvizimet e spontanitetin.

U hartua strategjia e zhvillimit, u miratuan standardet editoriale dhe Plani i Biznesit që i shërbyen rritjes së pavarësisë dhe shkëputjes nga politika. Dhe në një sondazh, RTSH u rendit si media më e besueshme nga të gjitha mediat publike të rajonit dhe më e besueshmja në vend.

Por gjithçka u ndal sapo prej saj kërkohej më shumë shërbim e spektakël sesa standard. (Dhe te dëshira për të rrënuar institucionin duhet kërkuar edhe persekutimi i pashembullt që iu bë Thoma Gëllçit! Koha i ka dhënë të drejtë dhe koha do të japë edhe drejtësi. Dhe koha është e pamëshirshme edhe me lapangjozët dhe servilët).

RTSH nuk është një prej 66 televizioneve që gëlojnë në vend.

Ajo ka për detyrë të edukojë edhe atë që s’e do edukimin. Nuk është ndërtuar për të mbajtur me gajasje audiencën, por për të ngritur standardin, edhe kur turma nuk e pëlqen. Dhe për këtë duhet mbështetje, jo thikë pas shpine.

Në një shoqëri të lodhur, të paarsimuar mediatikisht, është normale që propozime të tipit “t’i shkurtojmë fondet” të tingëllojnë tërheqëse.

Agron Shehaj ka të drejtë… nëse RTSH-në e sheh si tabelë bilanci. Dhe Thoma Gëllçi është i drejtë… nëse RTSH-në e sheh si pasuri të përbashkët. Njëri përfaqëson frymën e eficiencës ekonomike që nuk pyet për shpirtin e institucionit; tjetri përfaqëson idealin e një RTSH-je që, megjithë gabimet, ka diçka që privatët nuk do ta kenë kurrë: detyrimin ndaj publikut, jo ndaj klikimeve.

Armiku i RTSH-së është status quo-ja. Nuk mund të qëndrojë siç është dhe as të ruhet për muze. Duhet të rifillojë të ndërtojë besim. Të justifikojë buxhetin me përmbajtje cilësore, jo me nostalgji e servilizëm. Të jetë kritike ndaj pushtetit dhe ndaj vetes. Të rikthehet si zë, jo si jehonë e shuar e së shkuarës.

Sepse po nuk foli RTSH siç duhet, do flasin më gjatë… ata që kërkojnë ta mbyllin.

By Editor