Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, ka dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë lidhur me rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Rubin bëri të ditur se agjentë të shërbimeve amerikane të zbulimit kishin mbajtur kontakte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht me komandantin e Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinajn.
Sipas tij, përfaqësuesve të UÇK-së u ishte përcjellë qartë qëndrimi i Uashingtonit: të mos përfshiheshin në veprime terroriste, të shmangnin krimet e luftës dhe të mos lejonin ndikime të ekstremizmit fetar.
Rubin shtoi se për këto raporte kishte mësuar gjatë vitit 1999, kur vizitoi Kosovën dhe u takua me drejtues të CIA-s në terren.
“Në atë kohë kuptova se kontakti mes CIA-s dhe Haradinajt kishte nisur më herët, që në vitin 1998, madje kishte vite që ekzistonin këto lidhje”, tha Rubin.

