Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Rudi Vata, është shprehur optimist për shanset që Kosova dhe Shqipëria të arrijnë kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026. Në një prononcim për Telegrafin, ai tha se të dyja përfaqësueset gjenden në një moment unik, duke luajtur për herë të parë në play-off të Botërorit.
Kosova do të përballet me Sllovakinë, ndërsa Shqipëria me Poloninë – dy kundërshtarë të shkollës lindore të futbollit, të njohur për lojën fizike dhe agresive. Megjithatë, Vata vlerëson se “Dardanët” kanë shanset më të mëdha.
“Si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë në një situatë të paprecedentë. Kanë edhe dy ndeshje për të prerë biletën për në Botëror. Sllovakia dhe Polonia janë ekipe me stil të ngjashëm loje – fizik dhe agresiv”, tha ai.
Vata shtoi se Polonia mbetet një rival i fortë për shkak të eksperiencës së madhe ndërkombëtare, ndërsa Kosova ka avantazhe të dukshme në lojën ofensive.
“Shanset më të mëdha i ka Kosova. Është më e avancuar, më efikase përpara dhe shënon pothuajse në çdo ndeshje. Në një ditë të mirë, të dyja mund të bëjnë mrekullinë,” u shpreh ai.
Për Shqipërinë, Vata theksoi rëndësinë e unitetit dhe analizës së detajuar të kundërshtarit. Ai i sugjeroi trajnerit Sylvinho që të shfrytëzojë përvojën nga dy përballjet e mëparshme ndaj Polonisë.
“Çdo detaj duhet analizuar në mënyrë perfekte. Grupi duhet të jetë i bashkuar, sepse bashkimi bën fuqinë. Tani jemi më pranë se kurrë pjesëmarrjes në një Botëror,” theksoi ai.
Ndërkohë, Vata lavdëroi punën e trajnerit Franco Foda te Kosova, duke e cilësuar mentalitetin dhe disiplinën si pikat kyçe të transformimit të ekipit.
“Foda ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Ka krijuar një mentalitet të ri ku çdo lojtar është i gatshëm të sakrifikojë për ekipin. Kosova është komb historikisht i talentuar dhe brenda pak vitesh do të jetë kundërshtar i rrezikshëm për çdo përfaqësuese botërore,” përfundoi ai.

