Rusia po shton sulmet hibride ndaj Gjermanisë, duke përdorur dronë, sabotime dhe fushata dezinformimi. Sipas ekspertëve gjermanë dhe raportimeve të DW, situata po bëhet gjithnjë e më e rëndë dhe kërkon reagim të menjëhershëm.

Koloneli i Bundeswehrit, Sönke Marahrens, ngre një dilemë domethënëse:

“Nëse një nëndetëse ruse fundos një korvetë gjermane, a quhet kjo luftë? Po nëse vetëm i dëmtohen pjesët e saj?” — një shembull që DW e përmend për të treguar sa të paqarta janë kufijtë e luftës hibride.

Në konferencën e Policisë Federale Kriminale (BKA) në Wiesbaden, Marahrens diskutoi mbi këto rreziqe me ekspertë ndërkombëtarë. Një incident në korvetën gjermane “Emden” në janar 2025, sipas DW, shpërfaqi se sa lehtë mund të dëmtohen aftësitë operacionale të një anijeje luftarake përmes sabotimit.

Evropa po përballet me një valë në rritje të sulmeve hibride. Autoritetet gjermane paralajmërojnë se demokracia ndodhet nën kërcënim të drejtpërdrejtë nga Rusia. Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, dhe kreu i BKA-së, Holger Münch, shprehen se Rusia po përdor operacione të sofistikuara, duke rekrutuar persona të rangut të ulët për sabotime dhe përhapje të dezinformimit.

Sipas DW, qeveria gjermane ka nisur të forcojë mbrojtjen: Bundeswehri tashmë ka të drejtë të rrëzojë dronë mbi territorin gjerman, ndërsa policia po ngrit njësi të posaçme kundër kërcënimeve kibernetike.

Megjithatë, rreziku mbetet i lartë. Përveç sulmeve fizike, dezinformimi synon të gërryejë besimin e qytetarëve te institucionet. Sipas Marahrens, lufta hibride nuk është vetëm çështje ushtarake, por një provë për gjithë shoqërinë — dhe vetëm një reagim i përbashkët mund ta bëjë Gjermaninë më të qëndrueshme përballë këtyre kërcënimeve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *