Me 8 nëntor 1941 u themelua PKSH
15 komunistë shqiptarë – Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Çitaku, Elhami Nimani, Sadik Premte, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Anastas Lula, Sotir Vullkani, Koço Tashko, Tuk Jakova, Sotir Lubonja, dhe Perlat Rexhepi – nën bekimin e komunistëve jugosllavë Dushan Mugosha (1914-1973) dhe Miladin Popoviç (1910-1945), themeluan Partinë Komuniste Shqiptare (PKSH).
Ku përfunduan themeluesit e PKSH?
Me përjashtim të Enver Hoxhës, Pilo Peristerit dhe Elhami Nimanit (i cili më vonë shërbeu si ambasador i Titos), të gjithë të tjerët patën një fat të hidhur: disa u vranë gjatë luftës (Qemal Stafa, Vasil Shanto, Anastas Lula, Perlat Rexhepi), ndërsa të tjerë u pushkatuan pas luftës, u burgosën, internuan ose u eliminuan nga partia që kishin themeluar. Vetëm Sadik Premte mbijetoi, duke u arratisur në Francë, ku vdiq në prill 1991 në Paris.
Pas Luftës, Enveri eliminoi gradualisht anëtarët e tjerë, fillimisht Koçi Xoxen, të cilin e akuzoi si agjent të jugosllavëve. Koçi Xoxe kishte pozicione të larta si nënkryeministër dhe sekretar organizativ i PKSH-së, por u pushkatua më 10 korrik 1949. Më pas, Enveri përjashtoi edhe Kristo Themelkon dhe Sotir Vullkanin, të cilët i cilësoi si bashkëpunëtorë të Xoxes. Kristo Themelko, nga fshati Vërnik i Bilishtit, pas luftës shërbeu si komisar në Ushtri, por pas goditjes së Xoxes, u shkarkua dhe u emërua kryetar i artizanatit në Tiranë. Vullkani, një nga komunistët më të hershëm të Grupit të Korçës, u hoq nga oficer pasi mbrojti Koçin dhe vdiq në Tiranë në 1964.
Eliminime të tjera të Enverit
Ramadan Çitaku, pjesëtar i Grupit të të Rinjve, qëndroi për disa kohë ambasador në Beograd, por më pas Enveri e hoqi dhe e caktoi në pozita të dorës së dytë. Çitaku vdiq më 9 prill 1990, duke jetuar në izolim dhe frikë. Në vitin 1956, Enveri eliminoi edhe Tuk Jakovën (zv/kryeministër dhe sekretar organizativ), pasi ky kundërshtoi manipulimin e figurave historike të PKSH-së. Jakova vdiq në burg, pasi nuk iu lejua mjekimi. Në vitin 1960, Koço Tashko u akuzua si agjent i sovjetikëve dhe u burgos deri në moshën 80-vjeçare, duke vdekur në kampin e internimit në Adriatik, afër Mamurrasit.
Nga të gjithë themeluesit, të vetmit që i shpëtuan eliminimit ishin Pilo Peristeri dhe Elhami Nimani. Sotir Lubonja u përjashtua dhe gradualisht u harrua si një nga themeluesit e PKSH-së. Peristeri, i cili nuk përbënte kërcënim për Enverin, mbeti në funksione formale deri në fund të jetës, duke shërbyer si drejtor i Uzinës së Traktorit. Elhami Nimani, që punoi në Kosovë gjatë Luftës, nuk u kthye më në Shqipëri. Nimani (1917–1998), nga Gjakova, mbajti pozicione të ndryshme në Kosovë dhe Jugosllavi, duke përfshirë drejtimin e minierës “Trepça” dhe postin e ambasadorit të Jugosllavisë. Ai vdiq në Follorinë (Greqi) dhe u varros sipas dëshirës në Beograd.
Rezistenca e Peristerit dhe Vullkanit ndaj Enverit
Nga të gjithë pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të 8 nëntorit 1941, vetëm Pilo Peristeri arriti t’i mbijetonte regjimit të Enver Hoxhës deri në shembjen e regjimit komunist. Megjithatë, edhe ai u detyrua të bëjë lëshime për të mbijetuar. Rreth vitit 1946, kur Enveri nuk e kishte konsoliduar plotësisht pushtetin, ai i kërkoi Peristerit një deklaratë ku Pilo të dëshmonte se Enveri kishte qenë pjesë e Grupit Komunist të Korçës që në vitet ’30. Peristeri refuzoi dy herë të dëshmonte një fakt të pavërtetë. Enveri dërgoi njerëz për ta marrë deklaratën edhe nga Sotir Vullkani, por dhe ky refuzoi. Si hakmarrje, Enveri i hoqi nga pozicionet që mbanin dhe Vullkanin e arrestoi për armëmbajtje pa leje, ndërsa djalin e tij e arrestuan më vonë. Për Peristerin, ai urdhëroi transferimin në Kuçovë, derisa më në fund Peristeri pranoi të firmoste deklaratën për Enverin dhe u rehabilitua.
Fundet e themeluesve të PKSH-së
Pilo Peristeri, i mbijetuari i fundit i themeluesve të PKSH-së, vdiq më 5 gusht 2009 në moshën 100-vjeçare. Ndërsa pronari i shtëpisë ku u themelua Partia, Lazër S., u vra në mënyrë misterioze gjatë luftës, dhe në atë shtëpi banonte qiraxhiu Xhemal Cani. Dokumentet e Mbledhjes Themeluese u sekuestruan nga policia fashiste italiane më 4 maj 1942 në shtëpinë e Zef Ndojës, një bazë e fshehtë e PKSH-së në Tiranë. Kjo është arsyeja pse për dekada mbeti mister mbi emrat e themeluesve të PKSH-së.