Nga Besjana Lushaj
Para disa vitesh, atëherë kur u kuptua se rënia e Saimir Tahirit ishte e pashmangshme, pranë dyerve të gjykatës ku zhvilloheshin seancat për ish-ministrin e Brendshëm filluan të mblidheshin mbështetës dhe simpatizantë të tij duke lënë për të kuptuar se ky njeri, mirë a keq, i kishte bërë dy njerëz për vete.
Pavarësisht një mbështetje publike modeste, profilit të tij si i sertë dhe garip, Tahiri nuk çeli gojë por në nënshtrim të plotë porositi dy paketa cigare dhe iu drejtua birucës. Saimiri bëri burgun që i takonte dhe mori përsipër dhe hisen e eprorit të tij, sjellje kjo që iu shpërblye me lirimin e parakohshëm nga qelia.
Saimiri paralajmëroi se nuk ka bir nëne a kurve e më the të thashë, hodhi shqelma e nuk u kursye në paralajmërime, por kur laku u shtrëngua iu drejtua qelisë me bisht ndër shalë.
Kur fjala u hap se Lefter Koka do të arrestohej për aferën e inceneratorëve, ai e priti pa show arrestimin e tij. Mesa duket e kishte marrë mësimin nga sjellja e ish-kolegut të tij se llafet e pambështetura në vepra nuk të sjellin asnjë të mirë. Koka si njeri i omertasë, iu drejtua qelisë si hije. Deri me sot ai ia ka kursyer vetes dhe shefave të tij cirkun mediatik.
Alqi Bllako vendosi të veprojë ndryshe nga ish-shefi i tij. Ai iu shmang arrestimit për disa ditë duke i dhënë jetë një zhurme të madhe mediatike. Si guxon Alqi t’i shmanget drejtësisë? Po i dërgon sinjale Ramës? Po shkatërron prova? Apo thjesht në panik e sipër i tha vetes mos u bëj kurban kot? A ishte kjo një arratisje e shkurtër me mesazh?
E kështu lista vazhdon e gjatë, deri në momentin kur i vjen radha Arben Ahmetajt.
U bë shpejt e qartë së radhën e kishte Ahmetaj. Ky i fundit ndjek ritualin e kolegëve të tij dhe shkon tek vendi… tek Fevziu për intervistë.
Aty ai shfaqet i trembur, i dyzuar dhe akoma i gatshëm për të mbyllur ndonjë pazar me ata që e sulmonin ditë e natë në media. Gjithsesi Ahmetaj nuk dukej i gatshëm të shkonte në burg, as për ato që kishte bërë vet, dhe aq më pak për ato që kishin bërë të tjerët.
Ahmetaj çon selam dhe pret.
Përgjigja i vjen nga SPAK-u që nuk kursen asnjë aspekt të jetës së tij. Ai hetohet me themel nga Struktura e Posaçme, aq sa kthehet në objekt qitje për çdokënd. Ai ishte Tigri i financave, me një jetë të shthurur dhe luksoze, i cili me naivitetin dhe arrogancën e një njeriu që e mendon veten të paprekshëm, lë prova kompromentuese në shtëpinë e tij, bashkë me vibratorë dhe lodra seksi.
Struktura e Posaçme kontrollon gjithçka fatura, dokumente, laptopë dhe telefona. Ata nuk kursejnë askënd dhe asgjë. Në qoftë se lagjja e Tigrit do të kishte plaka lagjesh, rrezik dhe ato do të ishin marrë në pyetje në mënyrë rigoroze.
Verë, zagushi dhe Ben Ahmetaj si kryefjalë e asaj vere.
Përtej zallamahisë dhe zhurmnajës, SPAK-u vazhdonte punën si një kupë pitagoriane. Sa më shumë gjendeshin prova inkriminuese për aferat e ish-zv.kryeministrit aq më shumë derdheshin ato në publik. Për pak ditë u mor vesh gjithçka dhe Tigri e nuhati që do i viheshin byzylyqet.
Dhe këtu ndryshon gjithçka…
Në ndryshim nga ish-kolegët e tij Ahmetaj nuk kishte arritur të bënte për vete askënd. Nami i tij i keq si donzhuan dhe hajdut kishte zënë vend me kohë, duke ushqyer një antipati të gjerë në publik. Të gjithë ishin të prirur të besonin se Ahmetaj ishte truri i inceneratorëve. Biles dhe kur shumë gazetarë publikonin dokumente që provonin se Ahmetaj ishte shumë i vogël për të dirigjuar një hajni të këtyre përmasave, të paktë ishin ata që besonin.
Ahmetaj i ikën drejtësisë dhe fillon komunikimin me publikun nga arratia duke akuzuar kryesisht SPAK-un për manipulim provash.
Teksa vjen një ditë – tre javë para se gjykata amerikane të shprehet për pjesën e dytë të aferës Mcgonigal në të cilën është i përfshirë direkt kryeministri i Shqipërisë – ai jep një intervistë në një media e pozicionuar haptazi kundër pushtetit.
Dhe thotë:
- Edi Rama më nxori në pritë.
- Nuk do të bëhem unë kokë turku për Edi Ramën.
- Belinda Balluku dhe Erion Veliaj kanë ushqyer të gjithë propagandën kundër meje, përfshirë atë mediatike dhe diplomatike.
- Erion Veliaj është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës.
- Jam kërcënuar tre herë me jetë.
- SPAK-u mu qep pasi më lëshoi Edi Rama.
- Follow the money.
- Altin Dumani si Robespieri.
- Shqiptarët do të llahtarisen nga hetimet për inceneratorin e Tiranës.
- Kam informuar tre shërbime të huaja se më rrezikohet jeta.
- Shpresoj të mbetem gjallë për intervista të tjera.
Ahmetaj gjatë intervistës u kujdes të përmendte emrin e Blerim Hoxhës dhe gjithashtu u kujdes të harronte emrin e Ëngjëll Agaçit.
Përtej përpjekjeve të tij për ta distancuar veten nga afera e inceneratorëve, përpjekjeve për të minimizuar përgjegjësinë e mikut të tij Mirel Mërtiri, dhe fjalët e mira për Alqi Bllakon, Ahmetaj, ashtu i nënvlerësuar nga të gjithë, arriti nga arratia të thotë e të bëjë atë çka dështuan të bëjnë shumë ish-kolegë të tij. Ai foli…
Botuar në Kumti.net