Nga Agim Morina

Kur shqiptarët e Kosovës po kalonin ditë të randa, shkrimtari Salman Rushdie ngriti zanin dhe doli në mbrojtje të shqiptarëve. Çdo parashikim, çdo fjalë e tij në formë këshille për politikanët e Perëndimit në këtë artikull, doli ma se e vërtetë. Shumë intelektualë në këtë kohë ishin skeptikë, për sulmet e NATO-s kundër Serbisë, por jo edhe Rushdie. 

Sot ai asht në spital, tue luftu për jetën e tij. Shqiptarët, kudo ku janë, e sidomos shqiptarët e Kosovës, sot do të duhej me shprehë, së paku, dëshirën për shërimin e tij sa ma të shpejtë. 

NJËMENDËSITË MIZORE TË KOSOVËS

Nga Salman RUSHDIE

4 gusht 1999

Fill pas vrasjeve të Grackës, kryeministri britanik Tony Blairi u bani thirrje shqiptarëve të Kosovës që të lanë menjanë anmiqësitë. “Na e bamë luftën,” tha z. Blairi në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, të premten e kalueme, “sepse besojmë në drejtësi, sepse besuem se ishte gabim me ndodhë spastrim etnik dhe gjenocid etnik këtu në Europë në fund të shekullit XX. Dhe, na nuk luftuem për me ba të mundun që të shtypet një pakicë tjetër etnike [pakica serbe e Kosovës]”.

Këto janë fjalë dashamirëse, të urta, fjalë të çiltra, fjalë të një njeriu që beson se ka luftu dhe ka fitu një luftë të drejtë dhe për të cilin “drejtësia” përfshin idenë e pajtimit. Por, ato, gjithashtu, tregojnë për një shkamje të imagjinatës. Ajo që ndodhi me shqiptarët në Kosovë ishte një mizori, efekti i errët i së cilës në shpirtin e njeriut ban që asht përtej fuqisë së njerëzve të denjë si zoti Blairi, që dëshirojnë që diçka e tillë të ndalet. Ajo që ndodhi mundet me qenë, thjesht, e pafalshme.

Tragjikisht, ky nuk asht një dështim i tillë i parë imagjinativ. Në ditët e para të luftës, edhe shum shqiptarë të Kosovës, nuk ia dolën me rrokë shkallën e tmerrit që po vinte drejt tyne. Në shum katunde, burrat vendosën me ikë, të bindun se ushtria e Miloševićit kishte për qëllim me i masakru ata. U larguen në pyje, nëpër male, larg dorës vrastare të ushtrisë. Por, ata banë një llogari të gabueme: lanë  mbrapa familjet e tyne, pa mujtë me besu se gratë dhe fëmijët e tyne dhe gjyshënit shëndetligë kishte me i gjetë një zezonë nga ushtarët që po afroheshin. Kapaciteti njerëzor për mizori u kallxu shum ma i  madh, sesa që kishin qenë në gjendje me parashiku këto qenie të tjera njerëzore.

Tani le të imagjinojmë kthimin plot tmerr të refugjatëve në fund të luftës. Me ankth në zemër, tue shpresu që do të lumnoheshin, u afruen katundeve të tyne. Por, para se të mbërrijnë atje, e kuptojnë se ka ndodhë ajo që s’mund të merrej me mend.

Burrave të këtij katundi tash u duhet me u përballu me një të vërtetë në të cilën koritja dhe poshtërimi i thellë përzihen me pikëllimin e pafund. Ata janë gjallë sepse kanë ikë, por në vend të tyne janë vra të dashunit që lanë pas. Trupat që tani i bartin në karrocat fshatarake për në varre akuzojnë përmes qefinesh të tyre. Të mbijetuemit e katundit u tregojnë refugjatëve të kthyem historinë e masakrës. U tregojnë se si disa nga serbët e katundit veshën uniformat e ushtrisë serbe dhe vunë në shërbim njohunitë e tyne vendore për me u ndihmu vrasësve që të nxjerrin shqiptarët e tmerruem nga strehimoret e tyne. Jo, u thanë, mos humbni kohë me kontrollu atë shtëpi, nuk ka bodrum. Ah, po, kjo shtëpi, ka bodrum nën atë qilim, duhen me qenë të fshehun aty.

Këta serbë të Kosovës tash kanë ikë. Por Miloševići nuk i don në Serbi, sepse janë prova e gjallë e humbjes së tij. Dhe zoti Blair gjithashtu dëshiron që ata të kthehen në shtëpitë e tyne dhe të mbrohen nga KFOR-i. Ata ngurrojnë të kthehen, nga frika e hakmarrjes. Dhe, a muni m’ia qëllu? Kanë të drejtë. Ata kanë të drejtë dhe Toni Bleri, me vizionin e tij për një Kosovë të re — “një simbol se si do të duhej me qenë Ballkani” — e ka gabim.

Unë e mbështeta operacionin e NATO-s në Kosovë, tue pa se dëshmitë e shkeljes së të drejtave të njeriut ishin  së fuqishme dhe bindëse në favor të ndërhymjes. Shumë shkrimtarë, intelektualë, artistë dhe ndjellamirë me primje të majta menduen ndryshe. Një nga argumentet e tyne ishte: nëse Kosova, atëherë pse jo edhe Kurdistani? Pse jo Ruanda apo Timori Lindor? Çuditnisht, kjo lloj retorike, në fakt, ban të kundërtën me atë që mendon se po ban. Sepse nëse do të kishte qenë e drejtë me ndërhy në këto raste, dhe Perëndimi gaboi që nuk e bani, atëherë sigurisht që ishte e drejtë të mbroheshin edhe shqiptarët e Kosovës, dhe dështimet e maparshme të Perëndimit shërbejnë vetëm për me theksu se të paktën këtë herë atyne – “neve” –  ua rroku mirë sakica.

Pretendimi kryesor i kampit kundër ndërhymjes ishte dhe asht se veprimi i NATO-s në fakt përshpejtoi dhunën që ajo synonte me parandalu; se, si me thanë, masakrat qenkan faji i Madeleine Albrightit. Kjo më duket edhe moralisht e dënueshme – sepse shfajëson vrasësit e vërtetë – dhe sheshit e gabueme.

Leni mënjanë çdo emocion dhe shikoni logjistikën e ftohtë të masakrës së Miloševiçit. Shumë shpejt bahet e qartë se kjo mizori ishte planifiku me kujdes. Tani, kurrkush nuk ban plane të detajueme për me i fshi nga faqja e dheut mija njerëz me idenë nëse do t’i duhet një reagim i shpejtë ndaj një sulmi të Perëndimit. Dikush planifikon një masakër sepse synon me ba një masakër.

Vërtet, shpejtësia dhe përmasa e sulmit serb i befasoi forcat e NATO-s (një tjetër dështim i imagjinatës). Kjo nuk e ban të drejtë fajësimin e NATO-s. Vrasësit janë fajtorë për vrasjet që kryejnë, përdhunuesit për përdhunimet e tyre.

Por nëse “na” bamë mirë që ndërhymë, dhe lufta u ba me të vërtetë për motive idealiste, idealizmi i politikës së tanishme duket gjithnjë e ma utopik. Njëmendësia, qysh po raportojnë korrespondentët e huej me përvojë, të cilët janë kthy nga Kosova e po thonë se nuk kanë pa kurrë diçka të këtillë, asht se në Kosovë kanë mbetë pak serbë dhe ndoshta asht e pamundun me i mbrojtë.

Sarajeva e vjetër shumkulturore u shkatërru nga lufta në Bosnjë. Edhe Kosova e vjetër ka shku, mbase në pakthim. Kosova ideale e zoti Blairit asht një andërr. Aj dhe kolegët e tij tash duhet me i dhanë përkrahje ndërtimit të një entiteti të lirë, etnikisht shqiptar që duket si një pashmangshmëni historike.

Koha e mbasluftës nuk asht kohë për me andërru.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *