Skënderbeu, kujt historia s’i tregon ndonjë shok a shembull në trimëri, në dituri të luftës, në forcë, si dhe në dije, në mendim të drejtë, në njerëzi, në ëmbëlsi të zemrës e në madhëri të shpirtit. Skënderbeu, që i ka dhënë e do t’i japë gjithë jetën nder Shqipërisë, ky burrë i pashoq ish foshnjë kur ra në duart e turqve dhe u rrit në pallatet e Sulltanit. Që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimëri e bënte punë në ushtri të turqve, që çuditej gjithë bota. Kudo që shkonte mundte e njeri s’i qëndronte dot përballë.

Kur u kthye Skënderbeu nga Siria, tek kish vajtur të luftonte për turqit, dëgjoi nga goja e vetë Sulltanit që i ati kish vdekur. Por, duke qenë se pas kuvendit e pas besës që kish lidhur i ati me Sulltanin, duhej që një nga të bijtë të vinte në Krujë për të ndenjur në fronin e të atit, Skënderbeu, bashkë me vdekjen e të atit, mësoi edhe vdekjen e tre vëllezërve të tij, të cilët s’mund të vdisnin nga Perëndia, kështu [12] të tre përnjëherë. Trimi shqiptar nuk ish aq i pamend sa të mos marrë vesh se ç’i gjet vëllezërit e tij të mjerë, ajo do ta gjente edhe atë vetë. Dhe, vërtet, që atë ditë zuri i zoti i tij ta nxirrte në luftëra e në mundje të rrepta e të rrezikshme që të vritej, sepse ta vriste në shesh kish frikë nga ushtarët turq, të cilët e donin shumë Skënderbeun për trimërinë e për zemërmirësinë e tij. 

Prandaj Skënderbeu priste një kohë që të mund të ikte e të shkonte në Shqipëri, për të shpëtuar edhe veten e tij, edhe mëmëdheun, për të cilën i digjej zemra. Kohën që kërkonte e gjeti pa pritur shumë, edhe shkoi në Krujë, përzuri turqit prej andej, edhe u ul në fronin e të atit. Gjithë zotërit e të parët e Shqipërisë u mblodhën në Krujë, lidhën fjalë e kuvend dhe dhanë besë që të përpiqen e të vdesin për shpëtimin e mëmëdheut, duke njohur që të gjithë për krye e mbret të tyre Skënderbeun.

Kështu, për të parën herë, Shqipëria u mblodh në një mbretëri me një mbret trim e të zot si Skënderbeu. Turqit në çast çuan ushtri të mëdha për të marrë prapë Shqipërinë, por Skënderbeu me shqiptarët u qëndronte kundrejt burrërisht e me pak shokë hidhej si petriti mbi mijëra turq dhe copëtonte ushtri të tëra të Sulltan Muratit e të Mehmetit, duke shtënë frikën e tmerrin në zemrat e turqve.

Njëzet e ca vjet qëndroi kështu Skënderbeu me shqiptarët, duke vrarë e duke handakosur armiqtë dhe duke e mbajtur Shqipërinë të pamundur e të pamposhtur. Gjithë shtetet e Europës që ishin atëherë kishin shpresë në Skënderbeun dhe prisnin shpëtimin e Europës nga shqiptarët. Po ata nuk ishin trima e  [13] burra si Skënderbeu, as kishin besën e shqiptarëve. Shumë herë hungarezët dhe Papa e futnin Skënderbeun në zjarr pastaj hiqeshin dhe e linin vetëm, duke vështruar së largu. Megjithëkëtë, Skënderbeu qëndroi e duroi dhe Shqipëria, në gjallje të këtij burri, e ruajti lirinë e saj me nder. Por, me të vdekur të Skënderbeut, Shqipëria ra ndër duart e turqve.

Marrë nga vepra: “Shqipëria ç’a qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, 1899.

(Teksti është përshtatur në gjuhën standarde 1972)

Përgatiti për botim: Agim Morina

By Editor