(Pjesa e fundit, “Përmbledhja” e veprës “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, Bukuresht, 1899.)
PËRMBLEDHJE
Nga gjithë sa thamë, merret vesh fort mirë se si mund të qeveriset Shqipëria dhe se sa vend i bukur do të bëhej me një qeveri të këtillë! Sa do të lulëzonte e do të pasurohej! Në pak kohë do të bëhej një nga vendet më të bukura të Europës e të gjithë dheut. Me këtë mënyrë, kombi shqiptar, në pak kohë, do të bëhej një nga më të zgjuarit e nga më të qytetëruarit kombe të dheut dhe shqiptarët, që kanë kaq qindra vjet që rrojnë në robëri, në varfëri e në shtrëngim të madh, do të bëheshin të gjithë të pasur e të lumtur dhe do të rronin si njerëz!
Ç’duhet që të shpëtojë ky komb i gjorë e ky vend i varfër nga kjo zi e madhe që e ka mbuluar dhe nga gjithë këto rreziqe që e kanë rrethuar, për të lulëzuar ashtu si thamë? Fort pak gjë: vetëm dëshirë! Mjafton të duam. Por, që të duam, e kemi në dorë ta bëjmë Shqipërinë si thamë dhe ta shpëtojmë nga të gjitha rreziqet e nga të gjitha mynxyrat. Kur është në dorën tonë, të neve shqiptarëve, ta shpëtojmë a ta humbasim Shqipërinë, atëherë të mendohemi sa faj i madh është të rrimë e të mos bëjmë gjë! Kjo është si të vrasim mëmëdheun tonë me dorën tonë. Kur e kemi në dorë ta shpëtojmë dhe nuk e shpëtojmë, domethënë që e vrasim me dorën tonë!
Po ç’të bëjmë? — Ja se ç’duhet të bëjmë:
Duhet që çdo shqiptar të ketë gjithnjë, natë e ditë, ndër mend e në zemër shpëtimin e Shqipërisë dhe përparimin e kombit shqiptar. Kjo me se bëhet? — Çdo shqiptar që e do këtë duhet të dojë bashkimin e shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët janë vëllezër; kanë një gjak në rrëmba të tyre. S’ka turk e kaur, por të gjithë janë shqiptarë! Ai që është shqiptar i vërtetë duhet t’i vështrojë si vëllezër dhe t’i dojë nga zemra shqiptarët e vërtetë, pa le të mos jenë të fesë së tij. Shqiptari ka qenë shqiptar përpara se të bëhej i krishterë a mysliman.
Prandaj, shqiptari i vërtetë e i mirë dhe ai që do shpëtimin e Shqipërisë vë gjithnjë e kurdo kombësinë përpara fesë; nuk i ka vëllezër ata që janë të fesë së tij, por ata që janë të kombësisë së tij. Shqiptarët e vërtetë janë veçanërisht vëllezër mes vete; vëllazëria e tyre duhet të jetë aq e ngushtë, sa asgjë të mos e ndajë e ta çajë dot dhe asgjë të mos hyjë në mes të tyre. Siç janë frankmasonët e bektashinjtë vëllezër mes vete, kështu duhet të jenë edhe shqiptarët e vërtetë.
Shqiptar është çdo njeri i lindur prej shqiptarësh dhe që flet shqip, por shqiptar i vërtetë është ai që ka mendjen dhe zemrën shqiptare. Këta, shqiptarët e vërtetë, janë me të vërtetë shqiptarë të thjeshtë: duan gjuhën dhe kombin e tyre dhe përpiqen për lulëzimin e mëmëdheut. Kur të bëhen të gjithë shqiptarët, a të paktën shumica e tyre, kështu — shqiptarë të vërtetë — Shqipëria atëherë është e bërë dhe e shpëtuar nga çdo rrezik. Prandaj, çdo shqiptar duhet së pari të jetë vetë, a të bëhet, shqiptar i vërtetë dhe pastaj të përpiqet të bëjë edhe të tjerë shokë që, dalëngadalë, njëri pas tjetrit, të bëhen të gjithë shqiptarë të vërtetë.
Sot, shumë shqiptarë — nëntëdhjetë për qind, mund të themi — nuk janë shqiptarë as me mend, as me zemër; kombin dhe gjuhën e tyre nuk i duan, as i nderojnë; nuk duan të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën e tyre dhe shumë prej tyre kanë turp edhe të flasin shqip! Por, në kanë ata turp të thonë që Shqipëria është mëma jonë, Shqipëria ka më shumë turp e poshtërim të duket se ka të tillë bij! Kombi shqiptar nuk është komb për të pasur turp prej tij: të qenët e një njeriu nga një komb kaq trim e kaq i zgjuar nuk është turp, por është nder i madh. Nëse ka mbetur pas kombi ynë, nuk është faji i tij, por është faji ynë; nëse ka mbetur gjuha shqipe e pashkruar, nuk ka mbetur se është gjuhë e ligë dhe me të meta, por vetëm se nuk jemi kujdesur ne ta shkruajmë. Nuk ka faj kombi, nuk ka faj gjuha: faji është yni. Jemi një nga kombet më të vjetra të Europës dhe ndër më fisnikët e më trimat; flasim një nga gjuhët më të vjetra e më të mira të familjes ariane.
Ata shqiptarë që nuk dinë të çmojnë kombin dhe gjuhën e tyre dhe që nuk i pëlqejnë, e nuk kanë turp të duan të quhen turq, grekë, sllavë a të tjerë, ata janë tradhtarë të çmendur e të paditur. Qenia e tyre është një turp i madh për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. Sa turp i madh kur një shqiptar, në rrëmba të të cilit qarkullon gjaku i Skënderbeut dhe i shokëve të tij, të poshtërojë kombin e tij dhe gjuhën e mëmës së tij, e të nderojë një gjuhë të huaj, të cilën përpiqet ta vendosë e ta përhapë në vend të saj! Përpiqet që djemtë e tij dhe nipërit e stërnipërit të mos dinë shqip e të mos quhen shqiptarë! I madh turp për Shqipërinë të ketë bij të tillë!
Turpi i njerëzve të këtillë është turp për mëmëdheun tonë! Përveç dheut tonë, asnjë vend në botë nuk jep pemë të këtillë të hidhur! Kaq shqiptarë të pasur kanë prishur pasurinë e tyre për lulëzimin e një kombësie që është armike e kombësisë së tyre; për të bërë që djemtë e tyre e të të vëllezërve të harrojnë shqipen e të mos quhen shqiptarë! Këta nuk janë vetëm armiq — nuk ka fjalë për t’i quajtur — por tradhtarë të ligj e të fëlliqur! “S’ka shqiptarë”, thonë; “shqiptarët nuk janë komb më vete!” Janë grekë, thonë ca; turq, thonë të tjerët; sllavë, thonë disa të tjerë. O, sa fjalë e rëndë për gojën e një shqiptari! O, si ua nxë goja këtë fjalë të faqezinjve!
Të këtillë njerëz nuk duhet të jenë në Shqipëri, as mbi faqen e dheut. Dheut i rëndojnë tepër këta tradhtarë; nuk i mban dot. Të shporren! Çdo shqiptar i vërtetë duhet të përkujdeset që të mos mbesë asnjë i këtillë shqiptar, se i sjellin dëm e turp të madh gjithë Shqipërisë dhe shqiptarisë. Çdo shqiptar duhet të bëhet, së pari, vetë shqiptar i vërtetë, pastaj të bëjë të tjerët sa më shumë që mundet. Të kujdeset që të ecë mbarë e të përhapet gjuha shqipe, domethënë të shkruarit e të lexuarit e gjuhës sonë, dhe të shtohet mësimi e dituria në gjuhën tonë. Me një fjalë, të përpiqet që të jetë edhe kombi ynë një nga kombet e qytetëruara e të ndriçuara. Po, të përpiqemi të gjithë për këtë punë. Kombi ynë, duke qenë për nga natyra i zgjuar e trim, në pak kohë do të bëhet një nga më të ndriçuarit e nga më të qytetëruarit kombe të Europës.
Një komb i vjetër, ndër më të vjetrit e kombeve të Europës, me rrënjë të lashta, që kanë qëndruar për kaq mijë vjet, një komb kaq i vjetër dhe, megjithatë, fort i ri, që tani po zë të lulëzojë për herë të parë, një komb trim e i zoti, me një gjuhë të gjerë e të plotë, të bukur e të lehtë — një kombi të këtillë kush mund t’i dalë përballë?
O burrani, o shqiptarë! Në daçim e në u përpjekshim, do të jemi një nga më të mirët e nga më të ndriturit e kombeve të Europës, që të na kenë zili gjithë bota. O burrani! Të mos na mbulojë gjumi i mefshtësisë e i paditurisë, se në ndenjçim kështu, jemi të humbur. Sa dëm i madh e sa turp i rëndë të humbasë sot, në këtë kohë — kur edhe më të dobëtit e kombeve po zgjohen e po lulëzojnë — një komb si shqiptarët! Një komb kaq i mençur, me një gjuhë të bukur, të humbasë nga padija! Mend kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur kemi — dhe të mos dimë a të mos duam t’i përdorim për të mirën tonë!
A jemi shqiptarë? Besa, feja, puna, kujdesi, dëshira jonë, mendimi ynë le të jenë për Shqipërinë dhe për shqiptarinë. Të çojmë gjuhën përpara, ta zgjerojmë e ta zbukurojmë me shkrim e me dituri; të hapim shkolla, të mësojmë; të mos mbesë asnjë shqiptar i paditur; të largojmë shkollat e huaja dhe të mbushim vendin tonë me shkolla shqipe.
Këto janë të drejtat tona. Të përpiqemi për to me çdo mjet të drejtë.
Të mos trembemi! Të përpiqemi deri në fund!
Perëndia, e drejta, kombi, gjuha!
Shqipëria, shqiptaria!
FUND
Përshtatur në gjuhën standarde shqipe (1972): Agim Morina

