Gjyqtari francez Nicolas Guillou, i cili u bë i njohur për konfirmimin e aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, thotë se sanksionet amerikane të vendosura ndaj tij i kanë përmbysur jetën e përditshme. Në një intervistë për Le Monde, ai rrëfen se pas datës 20 gusht, kur Departamenti i Thesarit e futi në listën e individëve të sanksionuar, qasja në shumë shërbime bazë financiare dhe digjitale iu mbyll brenda natës.

Sipas Guillou, llogaritë e tij në platforma të përdorura gjerësisht, si Amazon, PayPal apo Airbnb, janë bllokuar pa paralajmërim. Madje, sipas tij, një rezervim hoteli iu anulua vetëm disa orë pas konfirmimit të pagesës. “Bankat në shumë vende më kanë bllokuar qasjen. Çdo transaksion që prek sistemet amerikane është i ndaluar dhe kjo përfshin pothuajse gjithçka,” thotë gjyqtari francez. “Të jesh nën sanksione është si të të kthejnë në vitet ’90.”

Guillou nënvizon se pasojat shkojnë përtej shqetësimeve personale, duke paralajmëruar se sulmet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve krijojnë presion të rëndë mbi funksionimin e drejtësisë ndërkombëtare. Ai kërkon reagim dhe mbështetje nga institucionet evropiane, të cilat, sipas tij, duhet të ofrojnë mbrojtje për zyrtarët që përballen me sanksione të huaja për shkak të detyrave të tyre gjyqësore.

Gjyqtari Guillou është një nga katër zyrtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) të goditur nga sanksionet e miratuara nga SHBA më 20 gusht, në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14203. Ky urdhër synon individë të cilët Uashingtoni i konsideron të përfshirë në veprime që bien ndesh me interesat amerikane.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *