Organizata e njohur për shpëtimin e refugjatëve të paligjshëm në det “Sea Watch” kritikoi kryeministren e Italisë për vendimin e hapjes së qendrave të pritjes së refugjatëve në Shqipëri.
Sipas organizatës, refugjatët e ardhur nga Italia në Shqipëri do të trajtohen si të burgosur dhe se shpenzimi i parave të taksapaguesve italiane për nisma të tilla është papërgjegjshmëri.
Xhorxhia Meloni reagoi me anë të një postimi në rrjetet sociale duke e cilësuar si skandaloz një qëndrim të tillë.
Ajo thekson se vendimi në fjalë ka për synim vetëm ruajtjen e kufijve të shtetit Italian.
“Çfarë skandali! Një qeveri që me një mandat të qartë të marrë nga qytetarët punon për të mbrojtur kufijtë italianë dhe për të ndaluar trafikun e qenieve njerëzore, përmes veprimeve konkrete dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.” -shkroi Meloni.
Sipas mediave italiane, qendrat e pritjes së refugjatëve në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës pritet të hapen brenda pak ditësh.