Të dhënat krahasuese nga INSTAT dhe Eurostat tregojnë se mbi gjysmën e vdekjeve në Shqipëri, ose 52.9%, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës dhe të aparatit të qarkullimit të gjakut, një nivel gati dy herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku kjo kategori përbën 32.8% të vdekjeve.

Në Shqipëri, tumoret zënë 15.3% të vdekjeve, ndërsa në Europë 23.9%. Sëmundjet e frymëmarrjes, të tretjes, mendore, nervore dhe endokrine janë gjithashtu në nivele më të ulëta se mesatarja europiane.

Rastet me probleme kardiake po rriten në spitalet shqiptare: për periudhën janar–gusht 2025 u trajtuan 7,543 pacientë në repartet e kardiologjisë, 17.5% më shumë se një vit më parë. Edhe trajtimet për probleme mendore janë rritur me 36% në të njëjtën periudhë.

Ekspertët e lidhin këtë trend me stilin e jetesës: ndotjen e ajrit, mungesën e aktivitetit fizik, ushqimin jo të shëndetshëm dhe stresin e përditshëm. Stresi kronik, veçanërisht në punë, mund të shkaktojë lodhje emocionale, shqetësime të gjumit dhe sëmundje kardiovaskulare.

Gjithashtu, obeziteti mbetet një faktor rreziku i lartë. Sipas Eurostat-it, 56.5% e shqiptarëve mbi 16 vjeç janë mbi peshë, me meshkujt që arrijnë në 62.3%, ndër nivelet më të larta në Europë. Femrat janë më të kujdesshme, me 50.9% mbi peshë.

Ekspertët theksojnë se është e nevojshme të vlerësohen të gjithë faktorët e rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe aksidentet cerebrovaskulare, në mënyrë që të ulet vdekshmëria dhe të ruhet shëndeti i popullsisë.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *